Kurti krenohet me rritjet ekonomike vjetore mbi 4% – 8 nga 11 vitet para pandemisë kishin rritje më të lartë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të krenohet me rritjen mbi 4 për qind në çdo vit që nga marrja e qeverisë, ndonëse gjatëperiudhës 2009-2019 – përpara pandemisë COVID-19 – rritja ekonomike e Kosovës ishte vazhdimisht e lartë. Në 8 nga 11 vite, rritja ekonomike ishte mbi 4 për qind, ndërsa në 5 prej tyre tejkaloi edhe 5 për qind.
Kreu i Qeverisë përmendi po ashtu mesataren e rritjes ekonomike prej 6.3 për qind gjatë tre viteve të fundit, pa përmendur faktin se BPV-ja ishte 16.32 për qind gjatë tremujorit të parë të 2021-ës, kur ai filloi qeverisjen.
“Kryesorja e këtyre katër viteve të fundit është rritja ekonomike e cila është 6.36 për qind e Bruto Produktit Vendor mesatarisht në këto tri vite.
“Asnjëherë pa rënë nën 4 për qind, natyrisht, rritje reale pasi të hiqet inflacioni, e para. E dyta, në kuadër të kësaj rritje ekonomike, kemi edhe dyshifim të eksporteve, dhe më shumë së dyfishim të investimeve të huaja direkte.” – tha Kurti gjatë fjalimit në Kuvend.
Sipas të dhënave Vjetari Statistikor nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, periudha para pandemisë karakterizohej nga një rritje ekonomike relativisht e qëndrueshme, madje, në shumicën e këtyre viteve, rritja ishte më e lartë në disa vite sesa vitet 2023 dhe 2023.
Rritja prej 10.7 për qind në vitin 2021 – shpesh e trumbetuar si arritje nga Kurti – ishte kryesisht rezultat i rimëkëmbjes pas recesionit të paprecentë prej -5.3 për qind në vitin 2020, që erdhi si pasojë e goditjeve globale nga pandemia.
Gjatë një paraqitje në "Rubikon" të Klan Kosovës javë më parë, deputetja e LDK-së Hykmete Bajram, duke shpjetuar prirjen ekonomike të vendit nga viti 2020, kur rritja ra në -5.3 për qind mes kaosit global të shkaktuar nga pandemia Covid-19, sqaroi se bumi i ringjalljes ekonomike post-pandeime ishe pasojë e një sërë masash të ndërmarra nga Qeveria Hoti, duke u përkthyer në një rritje ekonomike prej 10.7 për qind në vitin pasues.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të prezantuara nga ish-zëvendësministri në MEPTINS, Edison Jakurti, ekonomia e Kosovës deri në vitin 2023 rezulton se ende nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pandemia.
Njohësi i ekonomisë shpjegoi ditë më parë nëpërmjet një postimi në Facebook se hendeku mes BPV-së aktuale dhe asaj që mund të ishte nëse rritja do të ndiqte ritmin 10-vjeçar para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë.
"Deri në vitin 2023, ku bëjnë pjesë tre ose më shumë vite nga hapja e ekonomisë, meqë shumë masa kanë filluar të largohen qysh në pjesën e dytë të 2020, ekonomia e Kosovës mbetet nën trendin para-pandemik. Thënë ndryshe, deri në vitin 2023, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur nga pandemia. Prej vitit 2020 e tutje hendeku mes BPV të realizuar dhe një BPV që do ta ndiqte trendin para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë, 1.3 nga të cilët janë vetëm në periudhën post-pandemike 2021-2023." - ka thënë Jakurti.