Kurti kërkon mbështetjen e ambasadorëve: T'i kundërvihen propagandës serbe
Sot në Prishtinë është mbajtur Konferenca e 6 e Ambasadorëve, konferencë në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit mes tjerash në fjalën e rastit ka kërkuar mbështetjen e ambasadorëve për t'iu kundërvuar propagandës serbe.
Sipas tij, Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë sa u përket marrëdhënieve të ngushta të këtyre dy vendeve.
Tutje ai shtoi se kjo gjë mund të ndodhë vetëm me një transformim rrënjësor të këtij vendi.
“Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor, sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësi. Këto dy gjëra duhet t’u themi me kujdes dhe durim perëndimorëve. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë larg Kosovës. Duhet t’u themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të madhe ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve, për çfarë ka shifra, artikuj e libra”, ka thënë Kurti.
Gjatë këtij fjalimi, Kurti ka pohuar se Serbia nuk është e mjaftueshme nga ajo se çfarë i ofron perëndimi dhe se e mendon veten si bijë të Rusisë.
“’Perëndia serbe’, nuk është e mjaftuar me sakrificën e pjesshme që ia ofroi perëndimi demokratik, sepse e mendon veten bijë të ‘Perëndisë ruse’ dhe ashtu si Pjetëri i Madh që mori gjithçka që i nevojitej për t’i përdorur më vonë nënshkrimin e të gjithë Evropës ndaj Rusisë ashtu merr Serbia nga Perëndimi sakrificat e pjesshme për nënshtrimin e të gjithë Ballkanit. Vetëm më këtë flejim të plotë ‘Përendia Serbe’, mund të ndihet në paqe me vetën”, ka vazhduar ai.
Veç kësaj, Kurti foli edhe për qytetërimin perëndimor, duke thënë se ndër shekuj Serbia ka marrë teknologji, mallra, industri dhe armë, por asnjëherë themelin e qytetërimit perëndimor, që është demokracia e liritë njerëzore.
“Sigurisht gjatë shekullit XX, Serbia është ndodhur dy herë në krah të qytetërimit perëndimor. Por a e dini pse? Vetëm e për vetëm që për shkak që ka qenë e rreshtuar edhe të Rusia aty. Për rreshtimin e vërtetë të qytetërimit demokratik perëndimor, Serbia nuk ka nevojë për flijimin e popujve të Ballkanit Perëndimor, por për demokratizimin e saj të brendshme.
Bashkëpunimi
Ani pse dikur ishte nga kritikuesit më të mëdhenj të ambasadave, së fundi është vërejtur një zbutje e të parit të qeverisë.
Madje, në një takim të ditëve më parë që e kishte me zyrtarët e USAID-it, ai ka ftuar për zgjerim të lidhjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij ndajmë vlera të përbashkëta.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera, orientime dhe interesa të përbashkëta.Me popullin amerikan ndajmë bindjet e fuqishme të përbashkëta për liri, drejtësi dhe demokraci.
Tek USAID-i gjejmë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shtet edhe popullin mik amerikan. Andaj, le t’i zgjerojmë lidhjet dhe le ta thellojmë bashkëpunimin, në shërbim të të dy vendeve dhe të dy popujve tanë mbi bazën e vlerave dhe bindjeve që ndajmë. Ju faleminderit”, kishte thënë Kurti.
