Kurti intervistë me AFP: Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin, ne i duam mbi 50% në zgjedhje
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për AFP.
Kurti ka folur për dialogun, zgjedhjet e reja dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai theksoi se Kosova dëshiron normalizim me Serbinë, por që është e vështirë duke ditur raportet e Serbisë me Rusinë.
"Ne duhet të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Por normalizimi i marrëdhënieve me një regjim autoritar fqinj që nuk ju njeh, që gjithashtu nuk pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft i vështirë", deklaroi ai për AFP.
Kurti përmendi marrëveshjen e Ohrit.
"Ne kemi një marrëveshje normalizimi", tha Kurti, duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nën kujdesin e Bashkimit Evropian në vitin 2023.
"Ne duhet ta zbatojmë atë, që nënkupton njohje të ndërsjellë midis vendeve, të paktën njohje de facto", tha Kurti.
Kandidati i VV-së për kryeministër sërish përsëriti kushtin që Serbia ta dorëozjë Radoiçiqin, i akuzuari kryesor për sulmin në Banjskë.
Kurti kritikoi edhe raportet që ka Serbia me Rusinë.
"Ka shumë lidhje midis dy vendeve, dhe nëse Rusia do të vendoste të destabilizonte rajonin, në marshimin e saj drejt Evropës Perëndimore, ajo mund të mbështetet te Serbia si aleate. Dhe kjo është shqetësuese për vendin tonë. Por ne po punojmë me partnerët tanë për ta parandaluar këtë të ndodhë", tha Kurti më tutje.
Kurti përmendi edhe pranimin e 50 migrantëve nga Amerika.
"Ne nuk po kërkojmë asnjë ndihmë financiare në këmbim", theksoi Kurti.
"Ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara, të cilat janë një partnere, një aleate, një mik", shtoi ai.
AFP tregoi se si Kurti dështoi ta krijonte shumicë. E tash, ai tha se po pret mbi 50%.
"Na duhet një fitore vendimtare. Në shkurt, fituam 42.3 përqind dhe këtë herë duam të kalojmë 50 përqind," tha ai.
Partnerët e Kosovës presin që më 28 dhjetor Kosova të zhvillojë një proces zgjedhor fer dhe demokratik. Pritje të njëjta ata kanë edhe pas zgjedhjeve.
Mbretëria e Bashkua, Franca dhe aleatët kanë bërë me dije se Kosova ka nevojë formim të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë me dije se Kosova ka nevojë për një qeveria stabile.
Në një intervistë për “Express”, diplomati britanik ka vlerësuar bashkëpunimi dhe kompromisi ndërmjet partive pas zgjedhjeve do të jenë esencialë.
“Mbi të gjitha, shpresoj që këto të jenë zgjedhjet e fundit për një kohë më të gjatë! Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe të vendosur, e jo për një cikël të mëtejmë të pasigurisë zgjedhore. Mesazhi im për partitë politike është i qartë: Çfarëdo që të jetë rezultati, bashkëpunimi dhe kompromisi do të jenë esencialë për ta bërë të mundur formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kosova përballet me sfida dhe mundësi të rëndësishme, ndërsa ngërçi politik i tejzgjatur vetëm sa do ta vonojë përparimin. Një ton më i qetë dhe më i civilizuar midis palëve sesa ai që kemi dëgjuar në shkurt do të ndihmojë në krijimin e kushteve për dialog konstruktiv dhe stabilitet”, ka thënë ai.
Ai e ka lavdëruar të kaluarën e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të mira.
“Kosova e ka një të kaluar mbresëlënëse me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shpresoj që procesi zgjedhor i 28 dhjetorit të jetë i qetë dhe transparent dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet demokratike. Zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë së Kosovës, ndërsa është jetike që të gjithë akterët – institucionet, partitë politike dhe qytetarët – ta luajnë rolin e tyre për ta garantuar kredibilitetin dhe drejtësinë e tyre. Udhëheqësitë e Komisionit Qendror e Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme kanë luajtur role jetike për garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore që janë mbajtur deri më tani, ndërsa unë dua që t’i falënderoj për këtë”, ka thënë ai.