Kurti flet përsëri për luftë: Kemi shtetin tonë, do ta mbrojmë sovranitetin - NACIONALE

Kurti flet përsëri për luftë: Kemi shtetin tonë, do ta mbrojmë sovranitetin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Për herë të dytë brenda pak ditësh, kryeministri Albin Kurti ka përsëritur deklaratën rreth mundësisë së fillimit të një lufte në Kosovë. Madje, i pari i ekzekutivit po konsideron se do të ishte e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja.

Kurti sërish ka folur për luftë. Në një intervistë dhënë Reuters, ai përmendi se mund të ketë një konflikt të ri, derisa shtoi se “ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.

“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha mes tjerash kryeministri.

Veç kësaj, Kurti shtoi se Kosova është shtet dhe do ta mbrojë sovranitetin.

“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova tani është shtet, ky nuk është viti 1998...Ky është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”, ka thënë ai.

“Lufta” e Kurtit, hera e dytë brenda pak ditësh

Luftën, kryeministri e përmendi edhe para pak ditësh në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, të cilën e përktheu gazeta Nacionale.

Kurti këtu nuk e përjashtoi mundësinë e një konflikti në Kosovë për shkak të Rusisë, e cila sipas tij po tenton të shtrijë ndikimin e pansllavizmit.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për "La Repubblica" të Italisë.

Shefi i ekzekutivit, e përmendi Rusinë edhe në një intervistë tjetër për Radio Evropa e Lirë, ku tha se ky shtet po dëshiron ta destabilizojë Ballkanin, veçanërisht Kosovën.

“Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia, meqenëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore”, theksoi ai.

Reagime nga opozita

Kritika të ashpra ka marrë Kurti nga opozita, në lidhje me këto deklarata.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri nënkupton se e dëshiron krizën dhe ëndërron protagonizëm te paniku.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!”, shkroi i pari i LDK-së në pjesën e parë të reagimit”, ka thënë Abdixhiku.

Në lidhje me fjalët e thëna nga kryeministri në këtë intervistë, ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Kjo e fundit, ka kërkuar të mos ndjellet frikë e panikë të qytetarët, derisa shtoi se Serbia e di shumë mirë se çfarë sjellë konflikti me NATO-në.

“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu. Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë. Nderkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, tha Çitaku.

Lajme të ngjashme