Kurti flet për marrëveshjen e arritur me Serbinë, s’e thotë asnjë fjalë për targat - NACIONALE

Kurti flet për marrëveshjen e arritur me Serbinë, s’e thotë asnjë fjalë për targat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas marrëveshjes së arritur sot me Serbinë, në lidhje me dokumentet e identifikimit. Megjithatë, në shkrimin e tij, shefi i ekzekutivit s’e ka përmendur askund reciprocitetin për targat.

Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se tani qytetarët e Kosovës do të mund të kalojnë pa pengesa në kufirin me Serbinë.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë", ka thënë ai.

Ai mes tjerash, në shkrimin e ti ka falenderuar kryediplomatin evropian, Josep Borell, emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar dhe ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

Por në postimin e kryeministrit në Facebook, askund nuk flitet për reciprocitetin me targa, vendim për të cilin ishte zotuar se do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori.

Çka tha Kurti për reciprocitetin?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt të mërkurën, deklaroi se opsioni më i pranuar, është eliminimi i plotë i dokumenteve për hyrje/dalje të qytetarëve të të dyja vendeve.

Duke folur për targat e veturave, Kurti kishte thënë se ato “KS” nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kishte kërkuar Serbia.

“Opsionet ku Kosova duhet të prodhojë targa neutrale për veten nuk vijnë në konsiderim, me mua si kryeministër, me këtë udhëheqje demokratike”, tha Kurti.

Kurti vendimin për reciprocitet e përmendi edhe para dy ditësh në një intervistë për “Al Jazeera”.

Ai tha se më 1 shtator, nuk do të ketë shtyrje të vendimit për reciprocitet ashtu si më 31 gusht, derisa ishte shprehur i bindur se nuk do të ketë as tensione në veri.

Marrëveshja që u arrit sot, si ajo e vitit 2011

Produkti i parë i dialogut teknik Kosovë-Serbi ishte Marrëveshja për lëvizjen të lirë, në të cilën palët u pajtuar për njohje të letërnjoftimeve.

Kjo marrëveshje bazohej në njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të udhëtimit ndërmjet dy shteteve si dhe njohjen e targave të automjeteve mes tyre.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë është arritur më 2 korrik të vitit 2011 në raundin e pestë të diskutimeve në mes ish-ministres për Dialog të Kosovës, Edita Tahiri, dhe ish-zyrtarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Borco Stefanoviq.

Kjo marrëveshje rregullon termet e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve të të dyja palëve brenda dhe përmes territorit të njëra-tjetrës.

Zbatimi i marrëveshjes filloi më 26 dhjetor 2011. Ndërsa, procesi i zbatimit u bazua në konkluzionet përfundimtare operative të dakorduara midis dy vendeve, nën lehtësimin e BE-së, më 29 nëntor 2011.

Marrëveshja përcaktonte regjimin e kalimit me anë të letërnjoftimeve mes dy shteteve, ndërsa kalimin në vende të treta me anë të pasaportave.

Përmes marrëveshjes së vitit 2011, edhe Kosova kishte mundësi që t’i lëshonte dokumentet hyrëse/dalëse personave që vinin nga territori serb, por kjo nuk ishte bërë me vendim të Qeverisë për shkak të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Lajme të ngjashme