Kurti flet edhe me emisarin britanik: Do të punoj me QUINT-in për ta zbatuar menjëherë marrëveshjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka zhvilluar një telefonatë me emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se “ka shprehur angazhimin e tij për të punuar me Mbretëinë e Bashkuar dhe QUINT-in” për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes.
“Pata një telefonatë me Lordin Stuart Peach për zhvillimet më të fundit. Theksova se qëllimi i vetëm i qeverisë sonë është të sigurojë akses në zyrat për kryetarët e zgjedhur të komunave dhe shpreha angazhimin tim për të punuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e QUINT-it për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes bazë.” – ka thënë ai.
Had a phone call w/ Lord Stuart Peach on the latest developments. Emphasized that our Govt's only intention is to provide access to the offices for the elected mayors & expressed my commitment to work w/ the UK and QUINT allies on a prompt implementation of the Basic Agmt.
— Albin Kurti (@albinkurti) May 27, 2023
Çka ndodhi në veri?
Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.
Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.
Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.
“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.