Kurti e quajti shumicën e diasporës analfabetë funksionalë, çka është analfabetizmi funksional?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje përdori një togfjalësh “analfabetë funksionalë”. Gjatë një konferencë për media, Kurti tha se sistemi arsimor i Kosovës prodhon analfabetë funksional, të cilët ose përfundojnë në asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani.
Natyrisht, këto deklarata të Kurtit ngjallën shumë reagime. Eksponentë të të gjitha partive opozitare parlamentare shkruan gjerë e gjatë për këtë çështje, gjersa shumë nga ta e vlerësuan si ofendim ndaj qytetarëve, e posaçërisht diasporës.
Por, aktivistët e Vetëvendosjes, dhe njerëz të afërt me partitë opozitare, që janë analist (fatkeqësisht), e arsyetuan Kurtin.
Por, çfarë saktësisht nënkupton fraza “analfabetë funksionalë”?
Ka shumë definicione të analfabetizmit funksional.
Por, kryesisht, me këtë term nënkuptohet pamundësia për të kuptuar atë çfarë shkruhet. Pra, analfabet funksional është kushdo që përtej shkrim-leximit, nuk arrin në mënyrë kritike të kuptojë atë çfarë shkruhet në tekst.

Sipas shefit të ekzekutivit 3/4 e qytetarëve të Kosovës nuk arrijnë të kuptojnë tekstin, ndonëse dijnë të shkruajnë e lexojnë.
E kuptove? Nëse jo, atëherë lajmi i keq është që edhe ti lexues i dashur jeni analfabet funksional. Nëse e ke kuptuar, vazhdo ta lexosh shkrimin.
UNESCO ka një përkufizim në lidhje me analfabetizmin funksional.
Sipas kësaj organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të OKB-së, analfabet funksional është personi që nuk mund të angazhohet në të gjitha ato aktivitete ku kërkohet njohuri e shkrim-leximit për funksionimin efektiv të grupit.
Ndërsa, sipas fjalorit online të Kembrixhit, analfabetizmi funksional është “gjendja e pamundësisë për të lexuar ose shkruar mjaftueshëm mirë për të bërë gjëra që nevojiten për të jetuar dhe punuar në shoqëri”.
Në këtë kontekst, profesori Phillip C. Schlechty thekson se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vuajnë nga analfabetizmi funksional.
“Shkalla e analfabetizmit që na shqetëson sot është shkalla e analfabetizmit funksional. Gati gjysma e amerikanëve të rritur janë funksionalisht analfabetë; ata nuk mund të lexojnë mjaft mirë për të menaxhuar detyrat e përditshme të jetesës dhe punësimit që kërkojnë aftësi leximi përtej nivelit bazë”, shkruante vite më parë z.Schlechty.
Çfarë tha Kurti dje?
Kurti tha se sistemi arsimor në Kosovë nxjerr kuadro jo të mira, duke shtuar se njerëzit ose bëhen për asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani.
“Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit i la fajtor grevistët për rezultat e këqija në testin PISA dhhe konsideroi, se Qeveria po kërcënohet.
“Në një Kosovë ku testet e PISA-s po naj nxjerrin 3/4 e fëmijve si analfabetë funksionalë, ta shantazhosh, ta kërcënosh qeverinë, me rrënim të shtetit se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi.”, tha ai.
“Veç kërkesë për pare”, kjo është ajo që po ndodhë sipas kryeministrit, në krejt këtë situatë.
Shefi i Qeverisë dha edhe një arsyetim të zbehtë se pse nuk takohet me Rrahman Jasharajn, kreun e SBASHK-ut.


