Kurti e pranoi në parim propozimin e BE-së që, sipas Konjufcës, i ka dy rreziqe
Kryetari i Kuvendit të Kosovës pas një kohe të gjatë është deklaruar për lëvizjet e fundit që janë bërë në kuadër të planit franko-gjerman dhe kërkesave të ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Konjufca ka treguar rreziqet e planit franko-gjerman teksa kryeministri i Kosovës ka pranuar këtë plan në parim.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca është deklaruar për zhvillimet e fundit politike në vend, pas situatës së krijuar me pranimin në parim të planin franko-gjerman ose propozimit të BE-së, si dhe pas angazhimit të evropianëve dhe amerikanëve për themelimin e Asociacionit.
Konjufca ka treguar qartë se plani franko-gjerman nuk ka njohje legale të Kosovës nga Serbia dhe se ky plan nuk është marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto dy gjëra sipas tij e bëjnë të rrezikshëm planin franko-gjerman.
“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis. Unë po mundohet ta ndajë me juve pse është kompromis. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘defacto’, pra shtetësia e Serbisë ndaj Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejt por në mënyrë të tërthortë, cka i bjen kjo, nuk i bjen që pranohet prej një akti shtetëror të Serbisë por përmes një marrëveshje me BE, pra përmes një rruge të tërthortë pra është vetëm de-facto." - ka thënë ai.
"Dhe rreziku i dytë është se duket se nuk e ka formën e marrëveshjes përfundimtare dhe pastaj kjo do të jetë taktikë e Serbisë me sekuencu në dy hapa. Hapi i parë marrëveshja bazike, kjo që po quhet plani franko- gjerman dhe hapi i dytë rrezikon me na u kriju në momentin kur nashta synohet edhe që të ketë njohje reciproke legale por Kosovës i kërkohet edhe diçka tjetër ma shumë.” – ka thënë Konjufca për Ekonomia Online.
Ai nuk ka kuptuar pse po bëhet zhurmë tashmë kur kryeministri i Kosovës ka pranuar propozimin e BE-së duke thënë se Kurti para tre muajsh ka thënë që është bazë e mirë që të vazhdohet më tutje.
“Nuk e di përse i gjithë ky pluhur kur kryeministri ka thënë se ky plan është i pranueshëm për Kosovën, për arsye se aty nuk përmendet kurrfarë Asociacioni dhe e tëra që mund të aludohet për nënkuptim në atë plan është që marrëveshjet e deritanishme të arritura në dialog.” – u shpreh ai.
Më tej, Konjufca ka thënë se duhet të gjendet një formë e re e Asociacionit.
“Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt mund të thuhet implicit është referenca e Asociacionit. Por çështja është se këtë Asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e Asociacionit.” – ka theksuar ai.
Në anë tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar planin frankog-gjerman, ani pse Konjufca po thotë se ka dy rreziqe.
Kurti e pranoi propozimin në mënyrë më zyrtare, pas takimit që pati me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje.” – ka shkruar Kurti në Twitter pas këtij takimi.
Ndërkohë, Kurti ka thënë se fillimisht duhet të ketë njohje reciproke dhe pastaj të vazhdohet me themelimin e Asociacionit.



