Kurti e Osmani nuk ndalen, vazhdojnë të flasin për mundësinë e një lufte të re me Serbinë - NACIONALE

Kurti e Osmani nuk ndalen, vazhdojnë të flasin për mundësinë e një lufte të re me Serbinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë dy krerët më të lartë të Kosovës. I pari është kryeministër, ndërsa Osmani është presidente. Por që të dy përbashkohen në një pikë interesante. Si Kurti, si Osmani që një kohë po paralajmërojnë për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës. Madje, dyshja e pushtetit flet edhe për luftë.

Hiç më larg se sot, Osmani përmendi mundësinë e planifikimeve dashakeqëse të Serbisë kundrejt Kosovës. Megjithatë, shefja e shtetit deklaroi se Kosova është e gatshme “për çdo skenarë”.

“Të gjitha këto vlerësime i kam bërë gjatë fjalimit të fundvitit dhe natyrisht që jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe njëkohësisht me partnerët ndërkombëtar në mënyrë që t’i ndërmarrim masa për ta mbrojtur Kosovën, integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë dhe më e rëndësishme është që ne jemi të gatshëm për çdo skenarë.”ka deklaruar ajo, sipas “Ekonomia Online”.

Por kjo nuk është hera e parë që Osmani “alarmon” për mundësinë e një lufte. Komandantja Supreme e përmendi mundësinë e përshkallëzimit e sulmit nga Serbia edhe gjatë fjalimit vjetor. Ajo deklaroi se sulmi i armatosur në Banjskë ishte vetëm një paralajmërim.

“Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit.

Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.”deklaroi Osmani javën që shkoi në Kuvendin e Kosovës.

Pas këtij fjalimi të Osmanit para deputetëve në Kuvend, KFOR-i deklaroi se në vazhdimësi e vlerësojnë situatën e sigurisë në Kosovë.

“Jemi në koordinim të ngushtë me të gjithë homologët dhe jemi duke e vlerësuar në vazhdimësi situatën e sigurisë në Kosovë. KFOR-i është i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë – në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – dhe lirinë e lëvizjes”, thuhej në postimin e KFOR-it.

Përveç Osmanit, edhe Kurti herë pas here deklaron e alarmon për mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Në vikendin që shkoi, Kurti edhe një herë iu kthye kësaj teme.

Sjellim ndërmend që Kurti foli sërish për mundësinë e luftës gjatë një intervistë për mediumin gjerman “Stern.de”. I pyetur për mundësinë e një lufte tjetër në Kosovë, Kurti deklaroi se Kosova ka një “fqinj agresiv që nuk na pranon”.

“Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e një sulmi, sepse nuk varet nga ne. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë” – deklaroi Kurti, transmeton Nacionale.

Ndryshe, për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor ka folur edhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne jetojmë në një botë më të rrezikshme. Një luftë po zhvillohet në Europë. Një luftë e re në Lindje të Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor janë duke u rritur" - tha ai, ndër të tjera.

Lajme të ngjashme