“Puthitja” e Ramabajës e Spahiut me Kurtin, i fryjnë narrativës së kryeministrit për luftë
Sadri Ramabaja dhe Nexhmedin Spahiu janë analistë që parapëlqejnë të quhen profesorë. Ramabaja nuk dihet se ku jep mësim aktualisht, ndërsa Spahiu është ligjërues në një kolegj privat. Përveç këtij përbashkimi, Ramabaja dhe Spahiu përputhen edhe në një pikë tjetër: të dy janë mbështetës të pushtetit të Albin Kurti.
Madje, mbrëmë Ramabaja e Spahiu u bënë sërish “argatë” të Kurtit, duke i dhënë jehonë narrativës së tij për një luftë të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, Ramabaja mund të quhet “rrogëtar”, pasi “profesori pa studentë” kishte përfituar disa mijëra euro nga Qeveria Kurti për OJQ-në e tij që e quan institut.
I pari që diskutoi mbi mundësinë e një lufte ishte Spahiu, i cili deklaroi se deklarata e tij për luftë nuk është një “ekzagjerim”, por një mundësi reale. Kjo deklaratë i bëri të qeshnin dy panelistët e tjerë, Dukagjin Gorani e Ilir Mirena.
“Prej neve varet a po organizojmë ndonjë mbrojtje pak më të mirë apo po i lojmë me na ba llom derisa të merr bota nasihat, edhe të thon:ë hajde se i mbytën dhe po i mëshojmë Beogradit… NATO nuk ik, po kur t’na bajnë neve përshesh, ata nëse kanë njet me i mëshu, nuk i mëshojnë menjëherë. Presin nihere qa po bajmë na. NATO rrin këtu, se nuk shpërthen lufta menihere. Për mi mëshu edhe njëherë Beogradit, duhet me përgatit opinionin” – theksoi Spahiu.
Në këtë linjë argumentimi ishte edhe Ramabaja. Duke folur për mundësinë e luftës, Ramabaja deklaroi se i merr shumë seriozisht “paralajmërimet” për luftë. Në shpjegimin e tij, Ramabaja vlerësoi se në Serbi mbizotëron një logjikë e luftës.
“Dy fjalë sa i përket luftës, se unë megjithatë i marr shumë serioze këto paralajmërime, edhe të Nexhit (Spahiut v.j.), dhe disa që i kemi thënë këtu herë pas here. Sepse kemi të bëjmë me një logjikë të luftës me Serbinë. Ai armatim aq i madh që është sjellë në Serbi, është fjala jo për dhjetëfishimin, por gati 100% më shumë është e armatosur Serbia sot sesa nga koha kur ka dalë nga lufta. Vazhdimisht i kanë thirrur disa mijëra rezervistë për ushtrime. Ata munden t’i hynë një avanture, sepse zgjerimin e tyre drejt perëndimin e kanë të garantuar përmes Republikës Srspka, ndërkaq një lloj pushtimi të butë të Malit të Zi, dhe këtu ne duhet t’i çelim sytë, sepse NATO-ja nuk është një ombrellë e garantuar qind për qind për fat të keq sot” - deklaroi Rambaja.
Sjellim ndërmend që Kurti foli sërish për mundësinë e luftës gjatë një intervistë për mediumin gjerman “Stern.de”. I pyetur për mundësinë e një lufte tjetër në Kosovë, Kurti deklaroi se Kosova ka një “fqinj agresiv që nuk na pranon”.
“Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e një sulmi, sepse nuk varet nga ne. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë” – deklaroi Kurti, transmeton Klan Kosova.