Kurti e ka zakon t'i ndryshojë qëndrimet për serbët: Katër politikanët për të cilët ndërroi mendim
Një përkujtim i Albin Kurtit, lider i Lëvizjes Vetëvendosje e kryeministër i Kosovës, për Oliver Ivanoviqin, politikan serb i dyshuar për krime luftë në Kosovë, ka ngjallur shumë reagime. Dikur LVV-ja e quante kriminel lufte, ndërsa tash Kurti, nëpërmjet një videoje nga Zyra e Kryeministrit, e vlerësoi si njëri të sinqertë e që përkushtohej për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.
Por Kurti nuk ka ndryshuar mendim vetëm për Ivanoviqin, por gati pothuajse për secilin politikan serb aktiv në skenën politike kosovare. Më saktësisht, Kurti ka ndryshuar mendim për Nenad Rashiqin, Rada Trajkoviqin, Goran Rakiqin e Listën Serbe.
Pra nga qëndrimet rigjide e shumë të ashpra sa ishte pjesë e opozitës, Kurti i pushtetit është më fleksibil, duke lavdëruar Rashiqin, mbrojtur Trajkoviqin e arsyetuar Goran Rakiqin.
Metamorfoza e Kurtit
Si kryeministër i Kosovës, Kurti ka ndryshuar shumë mendime. Në shumë çështje, Kurti pushtetar ngjan pak, fare pak, me Kurtin e opozitës.
Le të fillojmë nga Ivanoviqi, politikani serb që u vra në vitin 2018, e që dyshohej për krime lufte. Dikur Lëvizja Vetëvendosje, që udhëhiqet nga Kurti që prej themelimit me përjashtim 3 vite kur kryetar ishte Visa Ymeri, ishte shumë e ashpër ndaj politikanit serb.
“Olivier Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfudimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij.”- shkruhej në komuikatën e VV-së të lëshuar më 23 janar 2016.

VV-ja e kritikonte EULEX-in për dënim jo të gjatë karshi Ivanoviqit.
“Të shqiptosh dënim me burgim prej një kohëzgjatje prej nëntë viteve për krime të tilla, është tregues më i mirë se sa është i gatshëm EULEX-i me kompetent të tij ta mbrojë drejtësinë që ka karakter ndërkombëtar.” – thuhej tutje në komunikatën e Vetëvendosjes.
Por sot Kurti, 5 vjet pas vrasjes së Ivanoviqit, ka ndryshuar fjalët për ish-politikanin serb.
“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.” – tha Kurti mes të tjerash në video.
Kurti dikur kishte kritika edhe ndaj Nenad Rashiqit, politikan serb, që aktualisht është ministër i Ministrisë së Kthimit në Qeverinë Kurti II. Gjatë kohës sa Rashiq bashkëpunonte me Hashim Thaçin, ish-kryeministër i Kosovës, z. Kurti e denigronte politikanin serb, duke e quajtur “serbi i Hashimit”.
Viti 2018 shënon kapërcimin e madh të Kurtit karshi figurës së Rashiqit. Pas një takimi për kafe, Kurti kishte postuar një fotografi me Rashiqin, të cilin e kishte quajtur “politikan të njohur serb nga Kosova”.
“Me politikanin e njohur serb nga Kosova, Nenad Rashiq, sot diskutuam për situatën politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, për nevojën e dialogut nga poshtë me serbët për integrim të qëndrueshëm shoqëror dhe institucional të tyre në Kosovë.” – shkroi ai.
Me politikanin e njohur serb nga Kosova, Nenad Rashiq, sot diskutuam për situatën politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, për nevojën e dialogut nga poshtë me serbët për integrim të qëndrueshëm shoqëror dhe institucional të tyre në Kosovë. pic.twitter.com/lS6HTN3ZiD
— Albin Kurti (@albinkurti) September 9, 2018
“Si dhe kundër pazareve të rrezikshme të krerëve autokratë shtetërorë që po bëhen në kurriz të popujve dhe demokracisë, të paqes e të ardhmërisë.” – shtonte Kurti.
Ndërsa Kurti kishte qenë edhe më shpërfillës ndaj Rada Trajkoviqit, politikane serbe, të cilën e kishte injoruar vazhdimisht. Madje, një video e moçme tregon indiferencën totale të Kurtit karshi tentimit të Trajkoviqit për t’i ndërruar disa fjalë me të në Kuvendin e Kosovës, ku dikur politikanja serbe ishte deputete.
Por vite më pasë, nga karrika e kryeministrit, Kurti do të mbronte Trajkoviqin, e cila u përball me keqtrajtimin e autoriteteve serbe. Ndalimin e Trajkoviqit, z. Kurti e cilësonte si thyerje e të drejtave të njeriut.
Por Kurti në një moment e kishte lavdëruar edhe Goran Rakiqin, kryetar i Listës Serbe, të cilën parti dikur e quante tentakulë e zgjatim të regjimit të Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë. Kurti e mbrojti ish-ministrin e tij gjatë një konferenceje në objektin e Qeverisë, duke thënë se ai kishte tentuar të ndihmonte në moseskalimin e situatës në veri.
“Unë kam qenë në kontakt me ministrin Rakiq, me të kemi dallime nganjëherë më të vogla nganjëherë më të mëdha por unë nuk mund të ankohem në komunikimin me të dhe unë nuk e kam përshtypjen që ministri Rakiq ka shkuar në protestë për të eskaluar situatën, me atë që më ka treguar ai besoj që është përpjekur që të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj që duhet të marr masa ndaj tij.” - u shpreh Kurti.


