Kurti drejton gishtin kah Serbia, BE-ja bën thirrje të mos bëhen spekulime për sulmin ndaj policëve në veri
Uniforma e Policisë së Kosovës reflekton sigurinë e qytetarëve brenda shtetit. Por, veshësi i saj mund edhe të mos kthehet i gjallë pasi t’ia mësyjë veriut për ta ushtruar detyrën zyrtare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për sulmin ndaj oficerëve policorë të Kosovës e ka drejtuar gishtin kah Serbia.
Ndërsa zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bëri thirrje të mos bëhen spekulime lidhur me këto zhvillime, nga ku edhe mund të ketë pasur të vrarë.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që t’i shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagim.
“Bashkimi Evropian në Kosovë dënon ashpër sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë Kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm”, thuhet në reagim.
1/2
— European Union Kosovo (@EUKosovo) April 15, 2022
The European Union in Kosovo strongly condemns the violent attack on a Kosovo Border Police patrol in Zubin Potok municipality this morning. Kosovo Police is the primary security provider, and any use of force against its officers is unacceptable.
Fatmirësisht, nga breshëria e plumbave të kallashnikovit AK-47 dhe granatës së dorës, nuk pati as të vrarë as të plagosur.
Kryeministri pasi i bëri thirrje Serbisë të distancohet nga ky sulm, ia kujtoi se në mesin e zyrtarëve pati edhe policë serbë.
Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, këtë sulm e vlerësoi si akt terrorist.
“Për tri ditë rresht (13 -15 prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar Kurti.
For three days in a row (April 13–15), Kosova Police officers have been attacked at the border crossing point with Serbia. Yesterday & early today, a hail of bullets & a hand grenade were thrown at our police. Our sources have identified yesterday’s attack as coming from Serbia. pic.twitter.com/2msSq7e2yJ
— Albin Kurti (@albinkurti) April 15, 2022
KATËR SULME PËR TRI DITË
Për tri ditë, katër sulme të armatosura kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e vendit. Për t’i kryer këto sulme u përdorën duke nisur nga iriqët metalikë, automatikët AK-47, granatat e dorës, e armë të tjera. Të gjitha këto detaje i zbardhën në një konferencë për media drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.
Sulmi i parë – u vendosën iriqa metalikë në rrugën nacionale me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës, në pika kufitare.
Sulmi i dytë – gjuajtje me gurë në drejtim të veturës së Policisë së Kosovës.
Sulmi i tretë – në afërsi të punktit policor që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale për kontrabandë, është gjuajtur me armë zjarri.
Sulmi i katërt – dy vetura të policisë janë qëlluar me armë zjarri e granata dore, përderisa po transportoheshin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.
Megjithatë, ministri Sveçla ka thënë se qëllimi i Serbisë nuk është ta sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë. Por, ai shtoi se Kosova është e përgatitur për çfarëdo skenari.
REAGIMET
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.
“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm.”
Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.
I pari që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se këto sulme duhet t’i shqetësojnë të gjithë.
“Krimi i organizuar ka sulmuar Policinë e Kosovës. Këto akte kriminale janë alarm për të gjithë. Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin. Të distancohemi nga dhuna e nga krimi, e të bashkohemi në luftën e pakompromis ndaj tij”, ka shkruar Haradinaj.
Një reagim ironizues e pati edhe analisti Blerim Latifi.
“Katër sulme të armatosura mbi policinë e Kosovës në kufirin verior me Serbinë brenda tri ditësh. Informatat thonë se sulmuesit kanë shtënë nga territori serb, por, siç do të thoshte Edi Rama, s'ka nevojë për shqetësim, sepse edhe këto sulme duhet të shihen në kuadër të vetëmbrojtjes së Serbisë”, ka shkruar Latifi.