Kurti dhe Osmani do të marrin pjesë në varrimin e Mbretëreshës Elizabeta II, por iu refuzohet një kërkesë - NACIONALE

Kurti dhe Osmani do të marrin pjesë në varrimin e Mbretëreshës Elizabeta II, por iu refuzohet një kërkesë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas burimeve të gazetës Nacionale, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeta II. Sidoqoftë, ata kanë pasur një kërkesë specifike dhe e cila si duket nuk është aprovuar.

Vdekja Mbretëreshës Elizabeta II në moshën 96 vjeçare më 8 shtator pikëlloi shumë vendin mik të Kosovës, Mretërinë e Bashkuar. Ajo kishte mbretëruar për 70 vjet, duke hyrë në histori si mbretëresha më jetëgjatë në historinë e këtij shteti.

Por, pikëllim kishte edhe në Kosovë, me presidenten Osmani që i thuri elozhe Mbretëreshës duke e quajturudhëheqëse e vërtetë dhe grua të jashtëzakonshme”. Edhe Kurti pati fjalë të mira duke e përshkruar si “të dedikuar, punëtore të madhe, frymëzuese e të përulur”.

Mirëpo, liderët tanë duket se nuk duan të mbesin vetëm te fjalët. Ata kanë kërkuar që të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeta II, që mbahet të hënën e ardhshme më 19 shtator.

Nacionale ka kontaktuar me Presidencën dhe Kryeministrinë për të marrë një përgjigje në lidhje me udhëtimin e tyre për në Mbretërinë e Bashkuar, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë një përgjigje (përveç njërës jozyrtare që thoshte se nuk e dinte).

Por, burimet i kanë thënë gazetës Nacionale se tashmë kërkesa e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani për të marrë pjesë në varrimin e 19 shtatorit është aprovuar. Sidoqoftë, Kurti dhe Osmani del të kenë kërkuar edhe “mbrojtje të afërt” gjatë ceremonisë, kërkesë kjo që burimet thonë nuk është aprovuar.

Varrimi i Albright

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kishin marrë pjesë edhe në varrimin e Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright. Znj. Albright kishte vdekur më 23 mars në Washington D.C. në moshën 84 vjeçare.

Gjatë asaj ceremonie mortore, të dy kishin pasur mundësi që të takoheshin edhe me liderë tjerë shtetërorë amerikanë, siç ishte Sekretari aktual i Shtetit Antony Blinken.

Udhëtimi drejt ShBA-ve nga Kurti kishte qenë i pari i tij si kryeministër, pozicion që e mban nga 23 marsi i vitit 2021.

Kurti është akuzuar nga eksponentë të shoqërisë civile se po iu kushton më shumë kohë se që duhet përkujtimeve e nderimeve, derisa mungojnë përurimet për investime serioze kapitale. Sidoqoftë, nuk dihet nëse udhëtimi i tij drejt Mbretërisë së Bashkuar do të rindezë këto kritika.

Mbretëresha Elizabeta II kishte vdekur nën mbikëqyrje mjekësore në Kështjellën Balmoral. Nderimet për të po ndodhin në shumë qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, por nderime janë bërë gjatë ditës së sotme edhe në kryeqytetin tonë, të organizuara nga Ambasada respektive.

Lajme të ngjashme