Kurti dhe O’Brien 'kanë informacione serioze': Serbia nën 'trysni të ashpër ruse'? - NACIONALE

Kurti dhe O’Brien 'kanë informacione serioze': Serbia nën 'trysni të ashpër ruse'?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Tërë ajo çka pranohej nga perëndimi për “konstruktivitet” dhe “vullnet për dialog” i Serbisë – gjer më 24 shtator të vitit të kaluar – u shpalos për ‘dhuratë greke’ karshi Kosovës me t’u dekonspiruar dhe mposhtur mësymja paraushtarake e asaj dite.

Në fund të atij shtatori u desht që ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe ai evropian Emanuele Giaufret t’i hipnin helikopterëve të vetë Ministrisë së Brendshme të Serbisë që t’ia inspektonin trupat ushtarake në afërsi të skajshme të kufirit me Kosovën, të “grumbullimit të paprecedentë të trupave/maçinerisë ushtarake” që ishte denoncuar nga Shtëpia e Bardhë.

Kishte qenë rreziku më i lartë i mundshëm i një “inkurzioni ushtarak” të Serbisë në Kosovë – që ishte njoftuar nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo nga institucionet e sigurisë kosovare – gjë që i kishte dhënë tonet më të larta të alarmit.

Se hetimi i policisë kosovare për Bansjkën “është kryer me kompetencë” është një konstatim i konfirmuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Gabriel Escobar, prill 2024: Radio Evropa e Lirë); dhe në ato hetime jepej që paraushtarakët synonin të shtrinin sulmet në gati se 40 lokacione në veri.

Kohëve të fundit – sërish nga amerikanët – erdhën mesazhe karshi Sebrisë: “Jo më befasira me formacione paraushtarake” në veri të Kosovës, ishin fjalët që Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Jim O’Brien i tha ditë më parë për agjencion serb të lajmeve “Tanjug”; ku edhe pa-një-pa-dy e dha forcën e NATO-s si të aftë për “t’i ndalur bandat lokale” që mund të shkaktojnë dhunë.

Opinionisti i shquar kroat dhe koluministri i rregullt në Al Jazeera Balkans, Davor Gjenero, në vështrimin e tij i merr seriozisht deklarimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe vërejtjet e Jim O’Brien karshi Serbisë, ngase, siç thotë ai, “kanë informacione serioze rreth përgatitjeve ushtarake serbe...nuk shpërndajnë informacione që nuk qëndrojnë rreth rreziqeve të ndonjë sulmi të ri”.

Por, përtej kësaj, Gjenero nuk dyshon asnjë pikë se Serbia është në trysni të ashpër ruse për të shkaktuar probleme serioze në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë; ndonëse te këto të fundit thotë “telashe institucionale”.

Kam frikë se Serbia është nën presion të Federatës Ruse që të bëjë probleme serioze edhe në Kosovë edhe në BeH”, tha Davor Gjenero për Nacionalen, ndërsa Banjskën e vitit të kaluar e lexon kryekëput si ruse në metodë – përkatësisht të gjelbroshëve të vegjël në okupimin e Krimesë më 2014.

Por, nëse pyesni se çka mund të përfitojë Serbia nga një sulm; nëse ky lloj sulmi paramilitar do të kryente punë, pra, të ishte efikas, mbase ata do të ishin në pozitën që të trajtonin okupimin e veriut të Kosovës si fakt të kryer. Por, në anën tjetër, ata duket qartë që janë nën presion të madh rus të bëjnë diçka, por ende po përllogaritin në faktin që ShBA po përpiqet të përdor Vuçiqin si mjet për distancimin ndaj Kosovës dhe mendojnë se në këtë moment shtetet nuk do të reagonin shumë ashpër kundër regjimit të tij në ndonjë rrethanë të pahijshme”, tha Davor Gjenero.

Gjenero megjithatë e quan “gjë të mirë” atë që e tërë kjo çështje “po vëzhgohet e trajtohet nga afër me kujdesë” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë institucionet e sigurisë kosovare.

Në lidhje me kërcënimet për në BeH, Gjenero e jep ‘Republika Srpska’-n si krijuesja permanente e probleme.

Sigurisht se një skenar për BeH do të ishte i ndryshëm sepse aty kanë kornizën e vet institucionale; kanë mjete institucionale në të ashtuquajturën ‘Republikë Serbe’. Aty bëjnë telashe institucionalisht”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ditëve të fundit i ka shpeshtuar mesazhet alarmuese për një “Banjskë tjetër...të përmasave edhe më të mëdha” derisa e ka arsyetuar se këtë e ka të bazuar “në informacionet e sakta të institucionevet tona të sigurisë”.

Lajme të ngjashme