Kurti del optimist nga takimi me Abdixhikun: Mund të arrijmë marrëveshje për presidentin
Kurti del optimist nga takimi me Abdixhikun: Mund të arrjmë marrëveshje për presidenti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë optimist pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Kurti ka thënë se atmosfera ishte konstruktive, dhe kjo e bënë të shpresojë se një marrëveshje për presidentin mund të arrihet.
“Jemi përpjekur edhe më herët, kandidati ynë është zyrtarizuar më pak se 30 orë para 5 dhe 6 marsit. Kurse doktoresha Fatmire Mulhaxha Kollçaku, është zyrtarizuar më pak se 3 orë përpara mesnatës. Ne kemi bërë përzgjedhje të detyruar, në ndërkohë kur nuk nxirrte askush asnjë propozim. Ndodhemi tani, unë vazhdoj të jem optimist, se mund të arrijmë marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Atmosfera konstruktive dhe dashamirësia që të shmangim zgjedhjet, më bënë optimist për këto tri javët e mbetura, që mos t’i shfrytëzojmë deri në orën e fundit”, tha Kurti, raporton Nacionale.
Ai theksoi se nuk do t’i tregojë të gjitha detajet e bisedimeve, por theksoi se mendimet e dhëna sot, as nuk kanë pasur sukses, por as nuk kanë dështuar.
“Tash ne jemi udhëheqës të subjekteve që janë demokratike, dhe jemi transparent sa i përket procesit, mirëpo megjithatë, takimi ishte tete a tete, dhe duhet ta ruajmë konfidencialitetin. Në momentin që propozimet sjellin rezultat konkret, mund të përgjigjemi. Por përderisa ky nuk është rasti, nuk mund të flasim për mendime, të cilat as nuk kanë sjellur dështim e as sukses. Përderisa jemi në këtë fazë do të iu njoftojmë për takimet që bëjnë, por nuk mund të flasin për emra konkret që nuk kanë sjellur ndonjë sukses”, tha ai më tutje.
“Unë vazhdoj ta kem qëndrimin e njëjtë, që nëse kemi emër të pëveçëm dhe po synojmë që të jenë veçse 80 apo 81 veta në sallë, në këtë legjislaturën e dhjetë ky do të ishte rrezik tepër i madh, vetëm një shumicë prej 84-85 do të na bënte komod për emrat e përveçëm. Edhe më tutje besoj që numri 80 apo 81 nuk është caku ynë për të ecur përpara, është më shumë se aq. Duhet të synojmë deri në fund, që të kemi 84-85”, tha Kurti.
Kryeministri bëri të ditur se planifikon të takohet edhe me Bedri Hamzën e PDK-së.
“Do të përpiqem të takohem edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, presidenti nuk do të jetë jo vetëm i një partie, por as i dy partive, është shprehje e unitetit të popullit. Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër para nesh, ka kërkuar ne t’i besojmë në mënyrë absolute të verbër. Dy kandidatët të jenë të PDK-së, dhe të verbër të mos na e tregojnë emrin paraprakisht. Me mua, si subjekt demokratik, kjo e bënë të pamundur marrëveshjen. Uroj që në takimet në vijim me kryetarin e PDK-së kjo të ndryshojë”, tha Kurti.