Kurti, Borrell, Vuçiq në Mynih, tash arrin edhe Lajçaku: U takova me O’Brien para se të nisesha
Tashmë ka filluar Konferenca e Sigurisë në Mynih, derisa atje ka konfirmuar arritjen edhe ndërmjetësuesi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Të pranishëm veç tjerash, janë edhe kryeministri Albin Kurti e presidenti Aleksandër Vuçiq.
Lajçak përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se para nisjes në Mynih, është takuar edhe me ndihmës sekretarin amerikan, Jim O’Brien.
“U takova gjithashtu me eurodeputetin dhe raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimír Bilčík, për të përditësuar njëri-tjetrin mbi zhvillimet më të fundit në portofolet tona. Dhe në prag të nisjes për në Mynih, u takova me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Jim O'Brien në Bruksel.” – ka thënë mes tjerash ai.
Vlen të përmendet, se O’Brien në fillim të kësaj jave, dha disa deklarata të ashpra sa i përket vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Duke folur mbi rregulloren e re, ku përfshihet edhe çështja e dinarit, ai tha se pas kësaj ka pasur vetëm “një shkëmbim të shkurtër” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilin, tha se qartazi vendosi miratimin e vendimit.
Kështu më pas, ai tha se kjo ngre pikëpyetje nëse Qeveria e Kosovës mund të trajtohet si partnere.
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere.” – ka thënë ai për Zërin e Amerikës.
Borrell takon ndaras Kurtin e Vuçiq
Përveç Lajçakut, tashmë në Mynih ndodhet edhe shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell i cili të premten paralajmëroi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Megjithatë, ai e bëri të qartë se nuk pritet të ketë një takim trepalësh.
"Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër.” – u shpreh ai.
Ndërkohë, vendimi i fundit për dinarin ka shkaktuar reagime të ashpra. Posaçërisht për këtë, dje ambasadori amerikan, Jeff Hovenier thirri një konferencë për media,
Ai demantoi kryeministrin Albin Kurti i cili ishte shprehur se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet Kosovë-ShBA, duke e thënë qartë se “kjo thjeshtë nuk është e vërtetë”.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – deklaroi Hovenier para gazetarëve.