“Thjesht s’është e vërtetë”: ShBA-ja e kritikon Qeverinë Kurti si kurrë më parë
Marrëdhënia në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka pësuar një plasaritje. Nga kjo çarje, është ndikuar edhe gjuha publike e ShBA-së, aleatit më të madh të shtetit kosovar. Ditëve të fundit, të gjitha deklarimet e zyrtarëve të ShBA-së janë me tone kritike. Madje, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi se ShBA-ja është e frustruar. Si e thelloi ShBA-ja gjuhën e kritikës ndaj Qeverisë Kurti?
Si asnjëherë më parë, Hovenier ishte i drejpërdrejtë në deklarimin e tij. Gjatë një konference për medie, Hovenier u përkujdes që të demantojë Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës. Hovenier vlerësoi se deklarimet e fundit se nuk është prekur marrëdhënia Kosovë-ShBA nga situata e fundit me ndalimin e dinarit serb, thjesht nuk janë të vërteta.
Sipas Hovenierit, marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kosovës tashmë janë ndikuar nga çështja e ndalimit të dinarit.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovoës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – tha dje ambasadori Hovenier.
Ditë më parë, James O’brien, nihmës-sekretar amerikan i Shtetit, i shprehi publikisht shqetësimet e tij me Qeverinë Kurti rreth dinarit. Gjuha e përzgjedhur nga O’Brien për të kritikuar Qeverinë Kurti ishte e paprecedentë në raportet mes Kosovës dhe ShBA-së.
“Paaftësi qeverisjeje” – ishte togfjalëshi përmes sëcilit O’Brien e komentoi vendimin për ndalimin e dinarit serb.
“Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.” – deklaroi disa ditë më parë O’Brien.
Madje, diplomati i lartë amerikan hodhi pikëpyetje mbi raportet e partneritetit në mes Kosovës dhe ShBA-së. Në intervistën për Zërin e Amerikës, kur u pyet për punën e snaksioneve ndaj Kosovës nga ana e ShBA-së, O’Brien theksoi se nuk bën kërcënime të zbehta publikisht,
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere…Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere” – tha ai.
Duke folur në parim, Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, theksoi se “veprimet e njëanshme" në raportet mes Kosovës dhe Serbisë do të prodhojnë pasoja.
“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të fascilituar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”, tha Escobar në një prononcim për agjencionin serb të lajmeve “Tanjug”.