Kurteshi i VV-së veç deklarativisht kundër, ai e voton rekomandimin që ia jep 278 mijë euro Listës Serbe
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin për ndarjen e mjeteve financiare për partitë politike, duke përfshirë edhe Listën Serbe. Rekomandimi, i cili është miratuar në mbledhjen e sotme, parasheh që nga buxhetit i shteti Listës Serbe t`i ndahen mbi 278 mijë euro. Rekomandimi në fjalë është votuar edhe nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.
Pika e parë e rekomandimit flet për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Kjo pikë parasheh ndarjen e mjeteve nga buxheti i shtetit edhe për Listën Serbe. Shifra që i takon këtij subjketi politik, sipas rekomandimit, është 270 mijë euro.

Kurse, pika e dytë rekomandimit parasheh ndarjen e mjeteve financiare për punën e deputetëve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas kësaj pike të rekomandimit Listës Serbe i takojnë mbi 8 mijë euro.

Pro këtij rekomandimi ka votuar edhe anëtari i VV-së në KQZ-së, Sami Kurteshi
Ndonëse në mënyrë deklerative, gjatë mbledhjes, Sami Kurteshi i VV-së ka thënë se është kundër që Listës Serbe t`i ndahen mjete nga buxheti i shtetit.
“Unë i votoj këto ndarje. Votoj kundër për Listën Serbe në çdo rast”, ka thënë Kurteshi.
Por, kur rekomandimi është hedhur në votim, Kurteshi e ka ngritur dorën, duke votuar "pro".
Kjo sepse, sipas rekomandimit, partitë politike nuk veçohen, por në të njëjtin rekomandim përfshihen mjetet për secilën subjekt politik veç e veç.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka treguar se pika e parë e rekomandimit ka të bëj me ndarjen e mjeteve financiare për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor 2025.
Sipas tij, kjo shifër është paraparë të jetë në vlerë prej 3,670,800 eurosh.
Para anëtarëve të KQZ-së, ai ka treguar se këto fonde ndahen për 15 subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas këtij rekomandimi, VV-së i takojnë 1 milion e 540 mijë e 800 euro, PDK-së 720 mijë euro, LDK-së 600 mijë, AAK-së 170 mijë euro, kurse Nismës 90 mijë euro.