Kur rrobat si t’Zelenskyt s’mjaftojnë: Ukraina shkarkon një zëvendësministër të dyshuar për vjedhje - NACIONALE

Kur rrobat si t’Zelenskyt s’mjaftojnë: Ukraina shkarkon një zëvendësministër të dyshuar për vjedhje

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Zëvendësministri i Infrastrukturës i Ukrainës, Vasyl Lozinskyi, është ndaluar nga policia dhe është shkarkuar nga detyra nën dyshimin për vjedhjen e 400 mijë dollarëve, shumë që ishte planifikuar për të blerë ndihma, përfshirë gjeneratorët, sipas hetuesve dhe prokurorëve kundër korrupsionit. Ndërkohë pushteti në Kosovë vazhdon që ta mbrojë ambasadorin tonë në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është përfshirë në një skandal milionësh.

Nganjëherë, kur kemi dëshirë që t’u ngjajmë njerëzve që na pëlqejnë ose që kanë famë, mundohemi që të dukemi si ta, të paktën në pamje. Megjithatë, më vështirë e kemi që t’u ngjajmë me vepra. Nuk dihet nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me qëllim apo rastësisht veshi një xhemper me ngjyrë ushtarake në marsin e vitit të kaluar, por dukja e tij menjëherë u krahasua me veshjen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Edhe nëse ia ka arritur që t’i ngjajë në pamje, Kurti, deri më tani, nuk po i ngjan shumë në vepër udhëheqësit të vendit që është përfshirë nga lufta. Të paktën jo, nëse krahasojmë dy raste.

Pas publikimit të dyshimeve për vjedhjen e 400 mijë eurove nga zëvendësministri Lozinskyi, president Zelensky u zotua se mënyrat e vjetra të korrupsionit nuk do të kthehen në Ukrainë, shkruan gazeta “The Guardian”.

“Dua që kjo të jetë e qartë: nuk do të ketë kthim të asaj që ishte në të kaluarën, kthim në mënyrën e jetesës së njerëzve të ndryshëm, të afërt me institucione shtetërore ose të atyre që e kaluan tërë jetën e tyre duke ndjekur një karrige”- tha presidenti ukrainas në fjalimin e mbrëmjes të dielën, pa e përmendur në mënyrë specifike rastin e zëvendësministrit.

Thuhet se Lozinskyi kishte bashkëpunuar me kontraktorët për ta fryrë çmimin e gjeneratorëve dhe se e ka marrë për vete ndryshimin e vlerës, sipas autoriteteve ukrainase kundër korrupsionit. Thuhet se të përfshirë janë edhe zyrtarë të tjerë rajonalë e të nivelit qendror. Gjatë verës, Ukraina ndalu 1,68 miliard hrivnia (rreth 36,7 milionë funte) për mallra dhe teknologji për burime alternative të energjisë, ujit dhe ngrohjes për popullin gjatë dimrit.

Lozinskyi u ndalua të shtunën nga hetuesit kundër korrupsionit. Në një deklaratë, ata thanë se kanë gjetur një shumë kesh prej 38 mijë dollarësh në zyrën e zëvendësministrit dhe publikuan pamje të bankënotave të dollarëve e të valutës vendëse. Të dielën, Lozinskyi u shkarkua nga detyra. Ai nuk ka bërë ndonjë koment për këto akuza.

Para fillimit të luftës, skandalet e korrupsionit ishin pothuajse pjesë e përditshme e jetës politike ukrainase. Ky shtet radhiten në vendin e 122-të nga 180 shtete në listën e organizatës “Transparency International” për luftimin e korrupsionit më 2021, duke qenë njëri ndër shtetet më të korruptuara në botë. Bashkimi Evropian i ka bërë reformat kundër korrupsionit ndër kërkesat kyçe për Ukrainë, nëse ky vend dëshiron që të anëtarësohet një ditë në bllok.

Skandali i ambasadorit tonë

Ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në gushtin e vitit të kaluar është ngritur kallëzim penal. Kjo është bërë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) me rastin që ishte lajmëruar nga gazeta Nacionale.

Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen vetë Agjencia, duke falënderuar Nacionalen për raportimin e këtij rasti. Kallëzimi penal ndërlidhet me mos-deklarimin e kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.

Skandali financiar ku dyshohet se është i përshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është temë shumë e përfolur edhe në Slloveni.

Për këtë skandal, së fundmi ka reaguar edhe ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, duke kërkuar komision hetimor për të hetuar dyshimet për korrupsion të lidhur me kompaninë energjetike GEN-i.

Lajme të ngjashme