“Kur njerëzit mësohen me privilegje”: Kurti e godet gjykatën pas vendimit për pezullimin e uljes së pagave - NACIONALE

“Kur njerëzit mësohen me privilegje”: Kurti e godet gjykatën pas vendimit për pezullimin e uljes së pagave

1 muaj më parë

nga Arbër Ramadani

Një vendim i rëndësishëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka arritur sot. Kjo gjykatë ka vendosur për masën e përkohshme me të cilën e pezullon vendimin e kryeministrit Albin Kurti për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Natyrisht, kjo çështje nuk ka shpëtuar pa u komentuar nga kryeministri Kurti.

Si zakonisht, ai e shfrytëzoi këtë vendim për të “sulmuar” përsëri sistemin e drejtësisë, më konkretisht gjyqtarët.

Ndonëse ky vendim i gjykatës nuk është përfundimtar, Kurti tha se një vendim i tillë është për keqardhje.

Ne nuk mund të merremi me vendime të cilat i bënë gjyqësori mirëpo me keqardhje kur vije puna për vetveten, po dalin të jenë efikas për dallim prej lëndët të panumërta që janë pluhurosu në sirtarët e drejtësisë e të cilat nuk trajtohen si duhet”. – theksoi Kurti në një prononcim për media.

Tutje, i pari i ekzekutivit ripërdori frazën tashmë të njohur se “kur njerëzit mësohen me privilegje, heqja e tyre u duket padrejtësi”.

Unë po e ritheksoj pagat në sektorin publik do të rregullohen me paga të reja. Është ligji mbi paga dhe zyrtar publik. Bindja ime e fuqishme cka po ndodhë me grevë është se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi”.

Vendimi për pezullim i Gjykatës

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marr vendim për shtyrjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përmes një njoftimi për medie, kjo gjykatë ka thënë se ka aprovuar propozimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me datën 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ", është thënë në njoftim.

Me tej, thuhet se vendimi nuk do të zbatohet derisa gjykata ta merr një vendim përfundimtar

"Gjykata me datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses”, është thënë në njoftim, transmeton Nacionale.

Kujtojm që javën e kaluar, Qeveria e Kosovës mori një vendim për të ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i kthyer ato në nivelin e para vitit 2018.

Siç ka shkruar Nacionale, sipas këtij vendimi, gjyqtarëve dhe prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.

Përplasja "jashtë sistemit"

Edhe njohësit e drejtësisë, e që nuk janë brenda gjyqësorit, e kanë parë me këndvështrime të ndryshme, krejt këtë situatë.

Profesori, Vigan Qorrolli ka hedhur dyshime, në atë se si është e mundur që gjykatësit të jene në grevë, dhe në anën tjetër të vendosin kaq shpejt, sipas Qorollit, për “xhepin” e tyre.

“Si qenka vallë gjyqesori ne grevë për sherbime esenciale, derisa kërkesat qe ua prekin xhepin atyre, i vendosin ne afat rekord — kurse kërkesat e ngjashme te qytetareve te vendit ju “marrin vjet te tera” per t’i trajtuar!

Shqiptarit prekja xhepin, ja sheh surratin!” ka shkruar Qorolli.

Në anën tjetër, juristja Flutura Kusari, e cila ka qenë shumë kritike ndaj vendimit të Qeverisë, për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët ka thënë se, ka qenë jetëshkurtër vendimi për siq e quan ajo goditjen fatale, të sistemit të Drejtësisë.

Tutje Kusari në formë metaforike, i ka shprehur “ngushëllime” Qeverisë, për vendimin tashmë të pezulluar.

Shumë jetëshkurtër paska qenë vendimi për goditjen fatale të sistemit gjyqësor. Ngushëllime.

Në këto momente, kur pritet të fillojnë sulmet e qeverisë ndaj gjyqësorit, po ua rikujtoj Rekomandimin CM/REC(2010)12 të Këshillit të Europës për gjykatësit: pavarësia, efikasiteti dhe përgjegjësitë, i cili në paragrafin 18 ka vendosur këtë standard:

Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, ekzekutivi dhe legjislativi duhet të shmangin kritikën që do të nënvlerësonte pavarësinë apo besimin në gjyqësor. Ata [ekzekutivi dhe legjislativi] poashtu duhet të shmangin veprimet të cilat mund të vënë në pikëpyetje vullnetin e tyre për të zbatuar vendimet e gjykatësve, përveç që mund të shprehin qëllimin e tyre për të apeluar vendimin.”

Pra, nëse qeveria jonë dëshiron të zbatojë standardet e Këshillit të Europës për respektimin e ndarjes së pushteve, ata kanë të drejtë të thonë vetëm një fjali sot: do ta zbatojmë dhe apelojmë vendimin.” Ka shkruar Kusari.

Drejtori i Institutit për Drejtësi, Ehat Miftaraj, po ashtu ka reaguar për përplasjen ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit.

“Kur cenohet pavarësia e gjyqësorit nga vendimet e kundërligjshme të politikës, gjyqësori nuk duhet të pres as pesë minuta me mbrojtë pavarësinë e tij. Secili duhet ti kuptoj deri ku janë kompetencat dhe autorizimet që ia ofron Kushtetuta dhe ligji. Kur këtë nuk e din, e mëson, nëse don!” - shkroi ai.

Përplasjet e Kurtit, me Drejtësinë, kanë qenë të vazhdueshme, prej ardhjes së tij në pushtet, megjithëse jashtë vendit, i pari i ekzekutivit, shpeshherë mburret, me rezultatet e sistemit të drejtësisë.

Lajme të ngjashme