Kundër vaksinave anti-covid, shërues i autizmit, tash në pranga: Historia e Arianit Sllamniku, të cilin disa televizione e kthyen në "personazh"
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme arrestimin e Arianit Sllamnikut. Ai është vënë në pranga nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme mjekësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi është kryer sot, pas hetimeve të zhvilluara nga Njësia e Hetimeve Rajonale me autorizim të Prokurorisë së Shtetit.
Sllamniku po hetohet për dy vepra penale që lidhen me shëndetin publik. Ai dyshohet për shkelje të Nenit 256 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që sanksionon "Ushtrimin e kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike", si dhe për shkelje të Nenit 257, i cili ka të bëjë me "Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave".
Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar sipas procedurave ligjore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Sllamnikut është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Kjo ndërlidhet me shumë reagime që erdhën pas raportimit të portalit lajmi.net, e më pas Klan Kosovës, se Sllamniku po pretendon se e shëron autizmin me një terapi krejtësisht të çuditshme.
“Ju njoftoj se Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, sot më datën 20.01.2026 me autorizim të Prokurorisë së Shtetit në vazhdën e veprimeve hetimore, ka ndërmarrë masa konkrete operative duke arrestuar personin e dyshuar A.S. i cili dyshohet të jetë i përfshirë në kryerjen e veprave penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pas arrestimit, personi i dyshuar është intervistuar në bazë të procedurave ligjore, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.” – thuhet në konfirmimin e Policisë.
Në shtëpinë e tij, Policia gjeti edhe armë, por që ishin me leje.
Profili i Sllamnikut ishte bërë më i njohur gjatë kohës së pandemisë COVID-19 kur ai bënte thirrje te njerëzit që të mos vaksinohen, duke shkaktuar debat të madh në atë kohë.
Më pas, Sllamniku mori vëmendje të madhe e u bë pjesë e disa televizioneve si Dukagjini e Klan Kosova, duke dalur pothuajse çdo ditë, e duke thënë qëndrime prej temave politike në Kosovë, e deri te teoritë më të mëdha konspirative.
Sllamniku me disa video të publikuara në rrjete sociale, kishte mohuar këto akuza, duke thënë se veç e jep mendimin e tij.