Ku shkojnë ndërkombëtarët, pse n’Dragodan nuk rrinë? - NACIONALE

Ku shkojnë ndërkombëtarët, pse n’Dragodan nuk rrinë?

2 vjet më parë

nga Dafina Demaku

Në Kosovë, ndër vite është e famshme fraza ‘Dragodani këtu vendosë’. Si një atribuim pezhorativ ndaj Ambasadës amerikane në Prishtinë plus QUINT-i, që për çdo gjë u lëshuan teposhtë fizikisht, për të ardhë deri te Qeveria ose institucione të tjera dhe për ta rekomanduar, këshilluar se si t’ia bënte me telashe që dilnin e që kryesisht lidheshin me dilaogun me Serbinë. Pse ndodhë kjo? Le ta shtjellojmë në këtë ditë të bekuar të Kushtetutës tonë 😊

Përgjatë më shumë se tri viteve të Qeverinë Kurti, u ngjall dukshëm një sentiment – le të themi – ‘anti ndërkombëtar’, ku çdokush që ishte me krahun ndërkombëtar në një rrethanë të caktuar politike, ishte servili, frikacaku, anti-sovranisti, koordnimi, subkoordinimi e fjalë si këto. Kishte momente, kur kushdo që ishte i pranishëm në diskutimin publik me trup e me mendje, mund të dyshonte nëse 'lufta' ishte me Serbinë apo me Perëndimin. Është e famshme edhe fraza ‘me koordinim a pa koordinim’, që i referohet koordinimit me Aleatët (ShBA dhe BE e Britani).

Në shumë prej seancave të Kuvendit, çështja ‘me koordinim a pa koordinim’ do të shterej në tërësi, ku herë ia thoshte opozita kryeministrit e herë kryeministri opozitës. E para, si kritikë për mos-koordinim, i dyti për ta vendosur opozitën si fjalët më lart: servile, frikacake, anti-sovraniste, sub-koordinuese, etj.

Përtej seancave të Kuvendit, në debate televizive, sidomos në tri vitet e fundit, është rrahur po ashtu teli i ndarjes mes sovranistëve dhe sub-koordinistëve me ndërkombëtarë. Ata që s’janë për ‘me i dëgju ndërkombëtarët për çkado se kush janë këta, kush ken’ këta’, ‘janë patriotët e vërtetë’. Pala e dytë, që mirëmbante diskursin se ‘mirë do të ishte edhe ndonjë koordinim i mundshëm me aleatë’ – janë këso ‘që paguhen nga Serbia’ (kurrkush nuk e di qysh, ama paguhen).

Demokracia konsociacionale – modeli ku ndërkombëtarët përzihen

Sipas ekspertëve kushtetues, Kosova është një demokraci konsociacionale.

“Kjo lloj demokracie, ku të gjitha komunitet janë njëkohësisht pakicë dhe shumica, që shtrohet në tërë territorit e vendin dhe refletoket në organizimin dhe funksionimin e secilit organ qendror dhe lokal të pushtetit, në teorinë dhe praktikën kushtetuese njihet si demokraci konsociacionale”, thuhet në librin ‘E drejta Kushtetuese’ të Enver Hasanit (faqe 129, nëse iu duhet).

Një model të tillë të demokracisë, e ka pasur edhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore si dhe Japonia. Në vetvete, nuk nënkupton diçka të keqe. Referuar literaturës të së drejtës kushtetuese, Gjermania dhe Japonia kanë qenë vende ku demokracia konsociacionale (siç e ka Kosova sot), janë treguar shembuj të suksesshëm.

“Arsyet për instalimin e demokracisë konsociacionale në Kosovë janë kryesisht të natyrës historike: më shumë të drejtë është vërejtur para shpalljes së pavarësisë e kaluara tragjike në Kosovë “ndarjet e thella dhe fragmentimet e brendshme nëpër nën kultura armiqësore, mund të adresohen vetëm përmes instalimit të demokracisë konsociacionale”.** (faqe 129)

Futja e këtij modeli të demokracisë ka qenë pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit të ndikimit të fuqishëm të faktorit ndërkombëtar në draftimin e Deklaratës dhe Kushtetutës.

Pjesëmarrja e vendeve të huaja dhe faktorit tjetër ndërkombëtar më ndërtmin dhe ushtrimin e vullnetit origjinal kushtetutbërës, jo domosdo gjë e keqe: rastet e Gjermanisë dhe Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore janë shembulli tipik i anëve pozitive të situatave kur pushteti origjinal kushtetubërës ndahet me vendet e huaja dhe faktorët ndërkomnbëtarë.

Arsyet për instalimin e demokracisë konsociacionale në Kosovë janë kryesisht të natyrës historike: më shumë të drejtë është vërejtur para shpalljes së pavarësisë e kaluara tragjike në Kosovë “ndarjet e thella dhe fragmentimet e brendshme nëpër nën kultura armiqësore, mund të adresohen vetëm përmes instalimit të demokracisë konsociacionale.

Akoma nuk po është e kuptueshme sa duhet?

“Futja e këtij modeli të demokracisë ka qenë pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimit të ndikimit të fuqishëm të faktorit ndërkombëtar në draftimin e Deklaratës dhe Kushtetutës. Kjo demokraci, është është instaluar si një ‘përpjekje e vetëdijshme e elitës me qëllim stabilizimit të sistemit’.

Instalimi nga ‘lart poshtë’ i demokracisë konsociacionale me qëllim të stabilizimit të sistemit, në rastin kosovar përkthehet si një përpjekje e qëllimshme e elitës vendore e bërë me synim konsolidimin e shtetësisë në planin ndërkombëtar dh efitimin e sa më shumë njohjeve ndërkombëtare.

Ky model i demokracisë nënkupton futjen e garancioneve specifike kushtetuese për promovimin dhe mborjtjen e lirive dhe të drejtave të komuniteteve etnike dhe komuniteteve tjera kosovare: me këtë hap në pushtetndarjen e gjithanshme”*** (faqe: 441)

Qysh lindi kjo ‘lloj demokacie’?

Demokracia konsociacionale është invencion i politologut holandez Arend Ljiphar. Me të nënkuptohet ndarja e pushtetit që merr në konsideratë deri në maksimum çdo dallim etnik, nacional, gjuhësor, fetar, regjional dhe tjetër, pa marrë parasyshë numrin dhe shtrirjen gjeografike të përfituesve të kësaj ndarjeje të pushtetit. Ka gjetur zbatim në vende të ndryshme të botës: Zvicër, Liban, Qipro, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, etj”, thotë Enver Hasani në një bisedë kur provova ta kuptoj lindjen e këtij koncepti të demokracisë.

Sipas kësaj lloj demokracie, ajo mëton të promovojë sa më shumë dallimet mes grupeve shoqërore, në mënyrë që ato dallime të çojnë në ndërtimin e politikave që akomodojnë maksimalisht kërkesat e tyre/ dallimet.

Dhe kështu, për t’i rënë pak më shkurt, debatet tona që ‘t’ia kallëzojmë vendin Amerikës dhe të tjerëve si kjo’, mund të sillen në vorbullin e diskutimeve që nuk kanë një fund. Por, fillimi dhe fundi i këtij debati, është në atë që do të quhej ‘frymën kushtetuese' dhe në vetë demokracinë që garanton Kushtetuta jonë. Derisa, nuk vendosim ta ndërrojmë diku-diku, nëse duam dhe na e merr mendja.

Lajme të ngjashme