Ku është Figura Unifikuese? [Sherr’ Presida’ Makra’] - NACIONALE

Ku është Figura Unifikuese? [Sherr’ Presida’ Makra’]

2 vjet më parë

nga Dafina Demaku

Presidentja hesht. Ajo kishte nisur mësimet edhe të gjuhës frënge. Pse s’po i hyn në punë – të paktën gjuha shqipe – tani?

Para tri vitesh, Presidentja Vjosa Osmani do t’na njoftonte se i kishte hyrë kursit të mësimit të gjuhës frënge.

Dhe këtë do ta bënte në Ditën e Basijës, për t’na thënë se po ia uronte Presidentit francez - këtë ditë të madhe për lirinë e Francës, në një mënyrë unike. Sa bukur tingëllonte: Sherr’ Presida’ Makra’.

Megjithëse nuk dihet avancimi i Presidentes në mësimin e gjuhës frënge, ajo nuk po arrin t’i lidh dot as dy fjalë në gjuhën shqipe, për sulmin e orkestruar ndaj mbi 40 gazetarëve në Kosovë, qytetarë të Republikës.

Në dy-tri ditët më të rënda të gazetarisë në Kosovë, në të paktën 15 vitet e fundit, ku mediumi publik u shpërfaq si vegël e përdorur brutalisht nga pushteti për të sulmuar median në Kosovë, Presidenten Osmani nuk ka kush që e shtyen ta lidh një fjali.

Historiku i Presidentes është i mbushur me heshtje rreth sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe atyre fizike, si ndër më të njohurit viteve të fundit, ai ndaj kolegut Valon Syla.

Por, historiku i Presidentes, është i mbushur me reagim zemërues, sidomos kur bëhet fjalë për lakimin e emrit të saj – si për shembull, kur pushteti ia vocërron peshën e saj si figurë politike, duke i thënë: ‘na fal, se ishe larg, nuk arritëm të të njoftonim për lëvizjet e fundit politike që bëmë, prapa shpinës tënde’.

Ose, kur do t’i tregojë gjoja publikut – indirekt Publikut Kurti – se e kishte shpëtuar atë personalisht nga sanksionet. Në intervistën jo aq të bujshme te gazetari Arbër Vllahiu, ajo kishte deklaruar se kishte kaluar ‘netë pa gjumë’ dhe ‘kishte kaluar kontinente’ që ‘individë të Kosovës të mos vendoseshin në listën e sanksioneve’. Këtu meritonte falënderim Figura Unfikuese sepse kishte shpëtuar ‘individë të rëndësishëm të Kosovës’ nga sanksionet. Të paktën, dikush duhej t’i kërkonte falje për netët pa gjumë.

Por, presidentja taktizon me togun e famshëm të fjalëve ‘Figurë unifikuese’.

Ajo shfaqet ‘figurë’ kur lakohet emri i saj dhe ‘unifikuese’ kur dëshiron tërthorazi t’ia tregojë peshën e vetë politike kryeministrit. Figurë unifikuese për pushtet? Ka një keqkuptim të madh këtu.

Lajme të ngjashme