Kthehet truri, ik truri
Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësen e tij Donika Gërvalla, në fund të kësaj jave shkojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për dy tubime publike. A do të dëgjojmë historitë e ‘kthimit të trurit’ – tash në kohën kur veç ka nis fushata e gjatë parazgjedhore dhe cilët janë dy – tre ‘tru’ që na kanë mbetur në tru, si gjurmë e këtij premtimi?
Historiku i përdorimit të togfjalëshit ‘kthimi i trurit në atdhe’ nga kryeministri Albin Kurti, është i gjatë. Por, dy janë storiet që mbajmë në mend për ‘kthimin e trurit’. Gazmend Gjonbalaj, që kishte premtuar investim 50 milionësh – në rast se do të fitonte Albini (Albini ka fituar) – siç shprehej ai dhe tjetri, është ish- ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, një ‘tru’ që u kthye në atdhe dhe u largua rrufeshëm.
Gjonbalaj i 50 milionëve
“M'u bë shumë kohë pa u parë me Gazin”. Kështu do të shkruante Albin Kurti në shtatorin e vitit 2019, si njoftim për videon që supozohej të ishte thirrje që ta ndiqnim për një nga mendjet (trurin sic!.), që me ardhjen e Kurtit kryeministër, do të kthehej në vend.
“Do të bëjmë çmos ta kthejmë trurin në atdhe”, do të shkruante Kurti në publikimin e kësaj video, premtim të cilin do ta dëgjonin mbi 2.5 milionë njerëz (sipas të dhënave nga Facebook).

Kthimi i ‘Gazit në atdhe’, një tru që premtonte investimin milionësh në Kosovën e udhëhequr nga Kurti, nuk ndodhi – duke lënë të kuptohej se ishte vetëm pjesë e fushatës zgjedhore. Ai mbeti si një relikt që i shërben veç ironisë në rrjete sociale, për çfarëdo premtimi të madh të dhënë, e të pambajtur.
Një storie tjetër, është ajo me ish-ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Në nëntorin e vitit 2021, kryeministri Albin Kurti do ta prezantonte Latifin, si një ‘kthim truri’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Si kryeministër posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të shëndetësisë. Ministri i ri i shëndetësisë, do të jetë profesor doktor Rifat Latifi. Ai erdhi pardje nga Nju Jorku në Prishtinë”, do të njoftonte Kurti.
Latifi do ta merrte fjalinë e famshme të ‘kthimit të trurit’ me t’u kthyer në Kosovë dhe do ta përdortte në atë konferencë si më poshtë:
“Do të bëjmë të mundshme kthimin e trurit të larguar deri tash, që të bëhen pjesë e procesit të ngritjeve të standardeve mjekësore”, pati deklaruar ish-ministri Latifi.
Por, pa i kaluar një vit në punë, vetë Latifi që premtonte kthimin e trurit, pati ikur vetë nga pozita dhe nga Kosova.
Armend Mehaj, ‘truri’ i kthyer nga Norvegjia
Një tru tjetër do të kthehej në atdhe, për t’u bërë ministër i Mbrojtjes. Armend Mehaj, një emër –fillimisht - i panjohur për publikun kosovar, por i mirëpritur për shkak të CV-së së tij, e rrumbullakësuar ne dy dekada angazhim në ushtrinë norvegjeze.
“Unë vij nga mërgata. Kam lënë familjen, kam lënë punën për me ardhë me i shërby vendit. Dy dekada në ushtrinë norvegjeze”, do të prezantonte veten Mehaj, në pranimin e detyrës së re.
I emëruar në këtë pozitë në marsin e vitit 2021, Mehaj do të dorëhiqej në tetorin e vitit 2023.
Letrat e dorëheqjeve të ‘truve’ që erdhën nga diaspora në Kosovë, kanë folur kryesisht për ‘çështje personale dhe familjare’, megjithëse burimet e gazetarëve brenda dy Ministrive, sot e atyre ditëve flasin për arsye të tjera, kryesisht, minim të punës dhe projekteve që këta ‘tru’ kishin, nga njerëz të partisë në pushtet.
“Unë nuk e di sot çfarë investimesh të huaja do të vijnë, por jam i bindur që me fushatën tonë edhe për kthimin e trurit, që nëse ka ndonjë qeveri që do t’i kthejë njerëzit e ditur dhe të mençur do të jetë kjo e jona”,do të deklaronte Kurti më 2019.