Kthehen rrahjet në xhamitë e Podujevës: Çka po ndodh në të vërtetë? - NACIONALE

Kthehen rrahjet në xhamitë e Podujevës: Çka po ndodh në të vërtetë?

3 vjet më parë

nga Besarta Kalaja

Rrahjet e shpeshta kryesisht mes të rinjve në rrugë e institucione arsimore janë dukuri mjaft prezente në Kosovë. Megjithatë, rastet e përleshjeve në objektet fetare dhe sulmet ndaj imamëve të xhamive nuk ishin diçka që mund ta dëgjoje shpesh. Mirëpo, së fundmi zënkat mes “xhematit” në Kosovë janë kthyer në një fenomen në rritje. Rastet më të fundit ishin ai i mbrëmjes së 18 shkurtit në fshatin Halabak të Komunës së Podujevës dhe tjetri në fshatin Lupç të po kësaj komune para disa muajsh. Në të dyja rastet u raportua një rrahje brutale për arsye shumë të çuditshme. Çfarë ndodhi?

Një përleshje e madhe ndodhi mbrëmë në Halabak të Podujevës, ku u përfshinë disa persona.

Policia i tha Nacionales se si pasojë e rrahjes, disa persona u shoqëruan në stacionin policor dhe se disa të tjerë janë ende në kërkim.

Nacionale ka kontakuar dhe me kryetarinë e Bashkësisë Islame në Podujevë, Mensur Hoti, i cili në lidhje me rastin ka dërguar vetëm një komunikatë për media ku ndër të tjera thuhet se tashmë xhamia është mbyllur përkohësisht.

Ndërsa sipas njoftimit të raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, deri të lëndimi i lehtë trupor erdhi pasi tre të dyshuar nuk kanë lejuar që hoxha i caktuar nga BIK-u të kryente ritet fetare në xhaminë e fshatit.

“Raportohet se në momentin kur imami i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë ka shkuar në xhaminë e fshatit për kryerjen e riteve fetare, katër persona nuk janë pajtuar me imamin e caktuar dhe e kanë penguar atë, pastaj tre të dyshuar që tani ndodhen në arrati, nuk kanë lejuar që të sulmohet hoxha dhe gjatë asaj kohe njëri nga të dyshuarit dyshohet se e ka sulmuar me kondak të revoles njërin nga katër viktimat duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.” – thuhet në raport.

Burimet kanë bërë me dije se tre persona ndodhen në arrati lidhur me këtë rast dhe të njëjtit dyshohet se i sulmuan katër të tjerë, për shkak të pengimit të imamit, Hyzdri Murseli. Nacionale ka mësuar se bëhet fjalë për dy vëllezërit Xhakolli, Avdiu dhe Sabedini, si dhe i dyshuari tjetër Fikri Kosumi, të cilët ndodhen në arrati.

Sipas informacioneve të para tre të dyshuarit për këtë rast, kanë sulmuar katër personat që dyshohet se e penguan imamin, i cili kishte shkuar për të kryer ritualet fetare në këtë xhami.

Kujtojmë se lidhur me rastin e rrahjes në xhaminë e fshatit Halabak të Podujevës, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ku përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin për ngjarjen.

Ndër të tjera, thuhet se me vendim të degës së BIK-ut në Podujevë, kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër.

Njoftimi i plotë i komunikatës:

Të nderuar!

Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë është i shqetësuar dhe e dënon incidentin e ndodhur mbrëmë afër xhamisë së fshatit Halabak.

Njoftojmë opinionin publik se ne më parë për atë xhami kishim lëshuar autorizim për kryerje të riteve fetare deri në një vendim i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë banorët e atij fshati.

Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër.

Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim i pranueshëm nga të gjithë banorët e fshat

Rrahja e Hoxhës në Lupç të Podujevës

Një rast i ngjashëm në Podujevë kishe ndodhur edhe disa muaj më parë ku imami i xhamisë së fshatit Lupç të kësaj komune ishte rrahur brutalisht nga tre persona.

Berisha kishte dhjetë vjet që i predikonte xhematit në Lupç të Komuna së Podujevës. Megjithatë, duket se jo të gjithë kanë qenë të kënaqur me mënyrën sesi zoti Berisha e ka kryer detyrën.

Vëllezërit Shkodran, Behar dhe Atdhe Murturi, ishin të pakënaqur se si hoxha dhe xhemati faleshin në xhaminë e Lupçit.

Këta të tre, për më shumë se një vit, në mënyra të ndryshme e kishin kërcënuar e pastaj kanosur hoxhën dhe familjen e tij. Për këto raste, hoxhë Zeqiri kishte lajmëruar edhe policinë.

Situata kishte eskaluar në mbrëmjen e së enjtës. Rreth orës 22:00, hoxhë Zeqiri, u ballafaqua sërish me tre vëllezërit. Këtë herë, Berisha kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e rrahjes brutale nga këta persona.

Ai ishte gjendur nga xhemati në gjendje të rëndë e i shtrirë në tokë. Nga rrahja, hoxhë Zeqiri iu nënshtrua edhe një operacioni.

Sipas burimeve të Nacionale, problemet e tre vëllezërve me Imam Berishën kanë nisur prej kohësh. Problemet kishin nisur në lidhje me mënyrën e faljes.

“Imami para disa kohëve ka pasur probleme me këta persona, me tre vellezerit. Madje për kërcënimet rastin e ka raportuar disa herë në Polici. Sipas fjalëve të imamit, të tre vëllezërit kanë ideologji vehabiste, me ta ka pasur probleme vazhdimisht. Sidomos për mënyrën e të falurit.” – ka thënë ky burim për Nacionalen

Lajme të ngjashme