Kryetari i Preshevës e quan shifër alarmante numrin e importit të mallrave serbe nga Kosova - NACIONALE

Kryetari i Preshevës e quan shifër alarmante numrin e importit të mallrave serbe nga Kosova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar pas vlerës së madhe të importit të mallrave serbe në Kosovë.

Arifi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se 341 milionë euro janë importuar drejtpërdrejtë nga Serbia, dhe sipas tij kjo shifër është alarmante.

“Sipas të dhënave statistikore - zyrtare nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës, vetëm për 11 muaj të këtij viti, Kosova ka importuar zyrtarisht rreth 341 milion Euro drejtpërdrejtë nga Serbia. Ndërsa, marrë parasysh kontrabandën, kjo vlerë arrinë 500 milionin e importit të gjësendeve nga Serbia. Këto shifra janë alarmante, mbi të gjitha duhen të jenë të frikëshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mbase do të duhej të mbahej mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë së Kosovës për ta shqyrtuar Monopolin Serb mbi tregtinë e Kosovës”, ka shkruar Arifi.

Ai tutje ka thënë se pas 23 viteve luftë në zemrën e Kosovës mbizotëron çizma serbe ekonomike.

“Kush do kishte besuar se 23 vite pas luftës, me qindra mijëra shqiptarë të masakruar e të larguar nga shtëpitë e tyre, mijëra gra të dhunuara dhe mijëra të pagjetur, sot në Republikën e Kosovës mbizotëron çizma serbe ekonomike në zemër të Kosovës! Madje në Hagë, denigrohet lufta e lavdishme e UÇK-së, ku mbahen peng eksponentët kryesorë të luftës çlirimtare, ndërkaq në Veri të Kosovës bandat kriminale serbe kanë bllokuar jetën publike atje duke cenuar rendin dhe sigurinë shtetërore. Kohë të vështira, kohë të çuditshme e të frikshme për vëllezërit tanë në Republikën tonë!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme