Kryeprokurori për Nacionalen: 32 zyrtarë serbë kanë dhënë dorëheqje deri më tani nga Prokuroria në Mitrovicë
Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, kanë mbetur pa përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës. Në këto komuna të banuara kryesisht nga qytetarët serbë, dhanë dorëheqje zyrtarët policorë, kryetarët e komunave si dhe administrata lokale, por edhe prokurorët, gjyqtarët dhe stafi administrativ gjyqësor.
E të gjithë prokurorët e komunitetit serb që operojnë në pjesën veriore të Mitrovicës kanë dhënë tashmë dorëheqje nga pozita e prokurorit.
Për Naconalen, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani ka dhënë detaje për mbarëvajtjen e punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
“Gjithsej 32 zyrtarë. Nga ta, 10 prokuror e 22 zyrtarë të tjerë staf administrativ kanë ofruar dorëheqjen e tyre", ka thënë për Nacionalen Ujkani.
Ai ka bërë të ditur se për momentin janë vetëm 7 prokurorë në detyrë për gjithë rajonin e Mitrovicës.
“7 prokuror dhe unë 8 gjithsej jemi. Jemi në mungesë të prokurorëve. 4 prokuror për krime të rënda, 2 për të mitur dhe një në departament të përgjithshëm", tha tutje Ujkani.
E dorëheqjet e këtyre prokurorëve kanë ardhur si shenjë pakënaqësie pas vendimit marrë nga autoritetet e Kosovës për ta zbatuar një plan tre fazash përmes së cilit inkurajohen qytetarët në katër komunat veriore të vendit, që të ri regjistrojnë veturat e tyre.
Ri regjistrimi po kërkohet për veturat që bartin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, me shkurtesa të emrave të qyteteve si PR, PZ e të tjera. Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Tri fazat e zbatimit të planit për targat përfshin fillimisht qortime për qytetarët që nuk i kanë ndryshuar ende targat, për të vazhduar më vonë me gjoba dhe targa provuese.
Qeveria e Kosovës synon që nga 21 prilli i vitit 2022 të mos ketë më në qarkullim vetura me targa ilegale serbe.
Rikujtojmë se në kundërshtim të këtij plani të autoriteteve të Kosovës, më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në këtë situatë, kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.