Kryeprokurori i GjNP-së thotë se Putini mund të sillet para gjyqit, e përmend Millosheviqin - NACIONALE

Kryeprokurori i GjNP-së thotë se Putini mund të sillet para gjyqit, e përmend Millosheviqin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, beson se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të sillet para gjykatës për akuzën për krime gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, i tha ai të premten televizionit CNN, pavarësisht nga argumentimi i Moskës se ajo nuk është subjekt i vendimeve të kësaj gjykate.

Në një intervistë me gazetaren Clarissa Ward, kryeprokurori Khan i përmenti gjykimet historike të kriminelëve nazistë të luftës, ish-presidentin e Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe ish-udhëheqësin liberian, Charles Taylor, mes të tjerëve.

“Të gjithë prej tyre ishin të fuqishëm, individë të fotë dhe prapëseprapë e panë veten në gjykatore”- tha prokurori Khan.

Rusia e ka quajtur të papranueshëm lëshimin e fletarrestimit për Putinin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të premten tha: “Rusia, si një numër i shteteve, nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate dhe, rrjedhimisht, çfarëdo vendimi i këtij lloji është i pavlefshëm për Federatën Ruse nga perspektiva ligjore.”

Megjithatë, prokurori Khan tha se kjo s’ka rëndësi. “Neni 27 i Statutit të Romës bën shumë të qartë se pozita zyrtare e një individi është e parëndësishme për juridiksionin e kësaj gjykate. Gjykatësit e pavarur të gjykatës, gjithashtu, e kanë vlerësuar këtë të duhur” për ta lëshuar fletarrestimin, shtoi ai.

GjNP-ja nuk zhvillon gjykime në mungesë të të akuzuarve, prandaj zyrtarët e akuzuar rusë ose duhet të dorëzohen nga Moska, ose të arrestohen jashtë Rusisë. Megjithatë, gjykatës e GjNP-së mund ta lejojnë mbajtjen e seancave dëgjimore konfirmuese, në të cilat gjykatësit i vlerësojnë dëshmitë para gjykimit, tha Khan-i.

Kryeprokurori e përmendi edhe shpejtësinë me të cilën ai i ka paraqitur akuzat për veprimet e Rusisë në Ukrainë – e konsiderueshme për një gjykatë që është kritikuar shpesh për burokracinë e saj.

“Mendoj se GjNP-ja ka qenë këmbësore në disa aspekte dhe ne duhet të ecim më shpejt”- tha ai, duke shtuar se ishte duke udhëtuar në Bangladesh për t’i hetuar krimet kundër komunitetit Rohingya në shkurt, kur vendosi që rasti i Ukrainës nuk mund të priste.

Lajme të ngjashme