Kryeministri Kurti "dështoi" me fotografitë për prezantimin e Ditës së Forcës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti të hënën me anë të një shkrimi uroi Ditën e Flamurit dhe Ditën e Forcës, duke publikuar disa fotografi në të cilat u prezantuan edhe pjesë të artilerisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mirëpo, jo gjithçka shkoi mirë në këtë postim.
Kryeministri Albin Kurti duke treguar për Ditën e Flamuri dhe për Ditën e Forcës, publikoi disa fotografi në të cilat u prezantuan disa nga aktivitetet e FSK-së me rastin e kësaj dite.
Mirëpo, Kurti nuk zgjodhi fotografitë më të mira për këtë prezantim pasi fjalët në mbishkrimin e tyre ishin se FSK tashmë ka ndarje buxhetore prej 123 milionë eurove.
“Ndërkaq dje, ndërkohë që në Tiranë po mbanim mbledhjen e parë të përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë, shënuam Ditën e Forcës. Për Qeverinë, ky ishte viti i ushtrisë. Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm.”, shkroi ndër të tjera Kurti.
Në postimin e Kurtit, dhjetëra komentues, qytetarë të vendit, u tallën me artilerinë e prezantuar nga ai përmes fototove.
Pjesëtarë të popullit, duke ironizuar i komentuan Kurti se më shumë armatim ka pasur UÇK-ja se tash FSK-ja.
"Mi lëshu për vit të ri", tha njëri prej komentuesve.
Një tjetër ironizoi duke pyetur: "çka të bëjmë me këto, t'i frikësojmë sorrat?"

Një tjetër lexues i propozoi kreut të ekzekutivit që të shikojë se me çka armatoset kundërshtari, që të jetë në të njejtin nivel.
Nuk dihet se si i ka pritur këto komente kryeministri Kurti, por ajo që dihet është se nuk janë përzgjedhur fotografitë më të mira që prezantojnë ashtu si duhet FSK-në.
Ndërkohë, me rastin e “Ditës së Forcës”, Ministria e Mbrojtjes lejoi që qytetarët t’i vizitojnë kazermat për t’i parë nga afër aktivitetet e FSK-së.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e DITËS SË FORCËS, të dielën, më datë 27 Nëntor, duke filluar nga ora 12:00 deri në ora 15:00 organizon “DITËN E HAPUR’’. Në këtë ditë, në Kazermën “Adem Jashari” nga ora 12:00, do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë. Në të gjitha kazermat e FSK-së, në këtë ditë festive, para qytetarëve të pranishëm, do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera. Të arriturat tona janë rezultat edhe i pasqyrimit objektiv dhe profesional nga ana juaj. Ju faleminderit për bashkëpunim dhe ju mirëpresim të festojmë së bashku!”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Fondi i sigurisë
Pas situatës së krijuar më luftën në Ukrainë, Qeveria e Kosovës me vendim kishte krijuar “Fondin e Sigurisë”.
Kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se fondi është themeluar bazuar në nevojat e FSK-së, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë fond, të gjithë qytetarët mund të dërgojnë mjete financiare që do të përdorëen për nevoja të FSK-së.
Deri më tani nuk dihet se mjete financiare janë grumbulluar në këtë fond, pasi Qeveria me vendim e bëri konfidencial çdo informacion rreth këtij fondi.


