Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari arsyetohet për përkuljen e ushtarëve para pllakës serbe: Rreshtimi ishte bërë gabim
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari ka folur rreth përkuljes para pllakës serbe, që mban emrat e ushtarëve të vrarë serbë në vitin 1912, dy vite para pushtimit të Kosovës.
Ai ka thënë se gjithçka ka qenë një gabim dhe se ushtarët janë rreshtuar ashtu si nuk do duhej.
Jashari, tutje deklaroi se kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, duke thënë se ka shumë politikanë që kanë rënë në një grackë të këtillë.
Veç kësaj, ai shtoi se atje kanë shkuar me ftesë të ambasadave, gjermane e franceze.
“Garda ceremoniale nuk ka shku me i nderu ushtarët serbë. Garda ka shku me ftesë të ambasadës gjermane dhe franceze. Në pllaka janë edhe të rënet gjermanë, francezë, por edhe serbë. Kjo është e tëra.
Për shkak të afërsive të pllakave që janë afër, ka ndodh edhe të kaluarën, kanë rënë edhe shumë liderë në këtë grackë, por nuk janë nderuar ushtarët serbë”, ka thënë ai në T7.
11 nëntor
Ambasada Gjermane në Kosovë, bashkë me atë franceze, me datën 11 të këtij muaji kanë nderuar 104 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Kjo ceremoni përkujtimore u mbajt në varrezat e krishtera në lagjen Arbëria të kryeqytetit.
Megjithatë, përkulja në nderim të këtyre ushtarëve të rënë nuk ishte veç për Luftën e Parë Botërore.
Kjo pasi, të njëjtit kanë nderuar edhe ushtarët serbë të rënë në vitin 1912.
Mbase edhe pa të keq, garda ceremoniale e FSK-së ishte pjesë e këtij organizimi.
Pllaka e pranishme aty është e shkruar në gjuhën serbe, teksa ka emrat e ushtarëve që vdiqën dy vjet para pushtimit të Kosovës, ku edhe u vranë mijëra shqiptarë.
“Këtu qëndrojnë eshtrat e ushtarëve të rënë serbë, që vdiqën në luftërat 1912-1918”, shkruan pllaka përkujtimore, kurse rreth këtij varri qëndrojnë ushtarët e FSK-së.
Mund të duket e paqëllimshme, por kjo s'e zbeh dështimin e autoriteteve gjegjëse, që në një situatë normale, do duhej të kishin të qartë se çka do të bënin, ose ku të silleshin.
Duhet përmendur faktin se i pranishëm këtu ishte edhe ministri Sveçla.
Together with Ambassador @Olivier_Guerot today at 11.00 we marked the Armistice of November 11, 1918 to pay tribute to all those who died for our countries in past and current conflicts and wars. pic.twitter.com/9EHIwXYFhY
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 11, 2022
MM
Ministria e Mbrojtjes ndërkaq, ka reaguar lidhur me lajmet që kanë qarkulluar nëpër media, ku thuhet se ‘Togu i Gardës Ceremoniale' ka bërë nderime për të rënët serb të vitit 1912. MFSK përmes një njoftimi ka potencuar se ky lajm nuk është i vërtetë.
Nga Ministria e Mbrojtjes janë arsyetuar se para tre ditësh, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francezë dhe gjermanë, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918
“Me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francezë dhe gjermanë, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918”, thuhet në komunikatë.
Siç thonë ata, pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serbë të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje.
“Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francezë dhe gjermanë”, shkruan tutje në njoftim.
Nga kjo Ministri tutje thonë se në asnjë formë nuk nderohen të rënët serbë, ndonëse shtojnë se pozicionimi fizik i gardistëve është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse.
“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit”, përfundon komunikata e tyre.
