Paratë e 'Qimit' + pak kusur: Fondi i Sigurisë nën 'sekretësi' tmerrësisht humoristike
Fondi i Sigurisë vazhdon të mbahet sekret. E megjithatë, sekret fondin e ndarë për Fondin sekret të Sigurisë nuk e mbajti biznesmeni Shkëlqim Devolli që dhuroi 500 mijë euro. Prej 2 marsit e deri tash, nuk dihet nëse më i madh është numri i pikëpyetjeve e pikëçuditëseve për fondin apo numri i parave të mbledhura.
Nesër bëhen 50 ditë prej që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve hapi llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve që i dedikoheshin sigurisë në vend. Kjo bëhej me autorizimin e Kryeministrit të Kosovës.
S F O N D I = Sulmi nga Serbia, kusuri i Rusisë në Ukrainë
Një javë më herët, më 24 shkurt, forcat ruse kishin hyrë në Ukrainë në një (sic) operacion special ushtarak dhe kësisoji ishin rrezikuar rendin politik global.
Prej asaj dite e këndej, kryeministri i Kosovës i është vënë një përpjekjeje titanike për të marrë vëmendje ndërkombëtare në lidhje me mundësinë e një sulmi ushtarak nga Serbia. Ai e ka denoncuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq si një autokrat dhe kukull të presidentit rus, Vladimir Putinit.
Kjo përpjekje e kryeministrit u ndoq edhe nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, e në atë kohë, edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Asnjëherë s’duhet përjashtuar mundësinë e një agresioni serb ndaj Republikës së Kosovës”, kishte thënë Konjufca më 4 mars, dy ditë pas hapjes së Fondit të Sigurisë.
Kryeparlamentari megjithatë do të heshtej më vonë në lidhje me çështjen, për t’i lëshuar rendin presidentes Osmani.
Kjo e fundit, edhe në një opinion të publikuar në The Economist, denonconte ‘përkëdheljen’ evropiane që i bëhej presidentit serb derisa shprehte mundësinë për destabilizim të Kosovës.
Pikërisht kjo mundësi që Rusia të kërkonte zgjerimin e luftës edhe në rajonin tonë ishte arsyeja për hapjen e këtij fondi. E megjithatë, duket që nuk po merret seriozisht nga qytetarët e madje as nga vetë qeveritarët.
F O N D I = ‘Qimi’ me kusur
Në atë ‘të nxehtë’ në debatin e brendshëm, Shkëlqim Devolli i quajtur dikur si “oligark” nga Albin Kurti, vendosi të ndante pak kusur nga fitimet e tij marramendëse duke i dhuruar 500 mijë euro për Fondin e Sigurisë.
Publike donacionet e tyre i bënë edhe të tjera figura publike, siç ishte deputetja Fjolla Ujkani (5000 euro), deputetja Albana Bytyqi (krejt rrogën), deputetja Vasfije Krasniqi (1346 euro), e kështu me radhë.
Nuk kërkon shkathtësi të jashtëzakonshme aritmetike për t’u kuptuar se numri shtatë-shifror i Fondit të Sigurisë do të arrihej vetëm nëse e gjithë Kosova bashkë do të dhuronte aq sa kishte dhuruar Shkëlqim Devolli i vetëm (500 mijë).
Ose, nëse një tjetër biznesmen do të dhuronte po aq sa kishte dhuruar njëri prej dy vëllezërve të famshëm të familjes Devolli. Nëse dy dele bëjnë ‘treqind pare’, dy ‘Qima’ bëjnë ‘një milion euro’ donacione për Fondin e Sigurisë.
Nuk dihet deri tash as fondi që ka dhuruar njeriu më i pasur në Kosovë, Behgjet Pacolli. Pse e përmendim pikërisht Pacollin? Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR) kishte qenë njeriu i parë që hodhi idenë e këtij fondi, pesë ditë para se të krijohej nga Qeveria.
“Ngjarjet në Ukrainë na kujtojnë rëndësinë e vetëmbrojtjes dhe të pasurit e një ushtrie të fortë. Fondi për Ushtrinë e Kosovës duhet të mundësohet sa më shpejt. Ta mbështesim atë edhe me fonde vetanake!”, ishte shprehur z. Pacolli më 27 shkurt.
9 , 9 9 9 , 9 9 9 . 9 9
Shifra që po shihni më lart në formë mestitulli është shuma më e madhe që teorikisht mund të jetë derdhur në llogarinë e Fondit të Sigurisë.
Pse?
Kryeministri Albin Kurti, pa dashur që të tregohej specifik, kishte thënë që numri i parave të mbledhura deri tash ishte shtatë-shifror.
Gazeta Nacionale ka dërguar të paktën dy herë pyetje në Ministrinë e Financave për të kërkuar shumën e saktë të mbledhur deri në momentin e dhënë. Përgjigjja, si për shumçka tjetër, ka munguar.
Kjo heshtje përballë shifrës (por, ju lutem mos e harroni numrin shtatë-shifror të Albin Kurtit) është arsyetuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ai arsyetonte ‘konfidencialitetin’ e shumës së parave (sic) duke u mbështetur “në vlerësimet profesionale që marrin parasysh sigurinë kombëtare”.
Rilexojeni fjalinë e z. Kryeziu dhe kujtohuni se z. Kurti kishte treguar që paratë e mbledhura ishin shtatë-shifrore.
Në fakt, nëse do të merrej parasysh siguria kombëtare, atëherë informacion më i rëndësishëm do të ishte ai mbi numrin e shifrave dhe jo mbi ndonjë numër specifik brenda këtyre shifrave. Pra, Serbia është më e interesuar të dijë se a është shuma e parave të mbledhura shtatëshifrore a tetëshifrore a nëntëshifrore a dhjetëshifrore se sa të kuptojë numrin e saktë të centave.
Që ta vizatojmë: kryeministri i Kosovës ka treguar që shuma e parave është shtatë-shifrore, pra prej 1 deri në 9 milionë e 999 mijë e 999.
G A NJ A
Ganimete Musliu, deputetja e PDK-së, duket se ka qenë ‘viktima e parë’ e nervozës së pushtetit për mos-realizimin e pritjeve për Fondin e Sigurisë.
Duke shprehur bindjen e saj politike se Fondi ishte i padobishëm, ajo në një takim partiak në diasporë kishte kërkuar që të mos dhuroheshin para. Kjo kishte irrituar sidomos deputetin e VV-së, Armend Mujën, që kishte akuzuar PDK-në, veç tjerash, edhe për çarmatosjen e UÇK-së.
Ganja ishte bërë sebep i nisjes së një linçimi publik nga simpatizantët dhe aktivistët e VV-së ndaj saj.
“Konfidencialiteti” i Fondit – që nuk aplikohet për kryeministrin Kurti – shtron në mënyrë legjitime dyshimin se Kosova është turpëruar edhe ndërkombëtarisht me një hap të tillë të ideuar nga ish-presidenti Pacolli. Por, po ashtu shtron edhe dyshime mbi mënyrën se si merren vendime nga Qeveria e Kosovës, dhe se si zbatohen ato.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin e Mbrojtjes për 52 për qind, duke e çuar për herë të parë në 100 milionë euro.