Kryeministri japonez drejt Ukrainës, Rusia dërgon bombardues strategjikë afër Japonisë - NACIONALE

Kryeministri japonez drejt Ukrainës, Rusia dërgon bombardues strategjikë afër Japonisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të martën në një deklaratë se dy bombardues strategjikë rusë kanë fluturuar për më shumë se shtatë orë mbi Detin e Japonisë. Kjo deklaratë u publiku në kohën kur kryeministri japonez, Fumio Kishida, është nisur drejt Ukrainës.

Aeroplanët e tipit “Tupolev Tu-95MS” mund të bartin armë bërthamore dhe Moska rregullisht i dërgon ata mbi ujëra ndërkombëtare të Arktikut, Atlantikut Verior dhe Oqeanit Paqësor si shenjë e fuqisë, raporton agjencia “Reuters”.

Koha e këtij fluturimi duket më e qëllimshme se zakonisht, kur kryeministri japonez pritet të arrijë më vonë në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, e për ta shfaqur solidarizimin e vendit të tij me Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Transmetuesi publik japonez, NHK, e shfaqi kryeministrin Kishida duke hipur në një tren në qytezën polake, Przemysl, afër kufirit me Ukrainën.

Rusia tha se bombarduesit strategjikë kryen një fluturim të planifikuar, të shoqëruar nga aeroplanët luftarakë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se fluturimi është kryer në përputhje të rreptë me të drejtën ndërkombëtare dhe se është bërë mbi ujëra ndërkombëtare.

Në shkurt, forca të mbrojtjes ajrore të Amerikës Veriore u dërguan për të penguar disa bombardues strategjikë dhe aeroplanë luftarakë rusë, kur ata po fluturonin në hapësirë ajrore ndërkombëtare afër Alaskës.

Japonia, e cila edhe vetë ka mosmarrëveshje territoriale me Rusinë për disa ishuj, është njëra ndër aleatet kyçe të Shteteve të Bashkuara dhe është bërë pjesë e sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Vizita e kryeministrit japonez në Ukrainë po zhvillohet edhe në kohën e qëndrimit të presidentit kinez, Xi Jinping, në Rusi.

Lajme të ngjashme