Kryeministër/deputet, çfarë…manovre: Çka (s)’bëri Kurti me kabinetin e tij në Kuvend?
Albin Kurtit nuk i kaloi ‘hilja’ për të qenë edhe kryeminstër në funksion edhe njëkohësisht të betohet si deputet i Kuvendit të Kosovës – pasi një gjë e tillë shprehimisht ndalohet me Kushtetutë të Kosovës.
Si pasojë e kësaj, partitë ish-opozitare nuk ia votuan raportin e Komisionit Verifikues – ku Vetëvendosja u ekspozua me një numër skajshmërisht larg një shumice të thjesht parlamentare: vetëm 52 vota rezultuan t’i kenë deri më tash, përkatësisht vetëm katër të pakicave jo serbe.
Kurti po shkonte drejt betimit si deputet, bashkë me ministrat e tij, derisa mban edhe postin e Kryeministrit. Ai gjatë seancës të martën, u nënshkrua si deputet, u ul në ulësën e deputetit, votoi ‘pro’ që të vazhdohet me konsituim.
Pra, Kurti dhe ministrat e tij, morën pjesë si deputet në sallën e Kuvendit, pastaj vazhduan punën edhe si ekzekutv. Deputeti/ministri Murati nënshkroi një akt administrative si ministër, veç pak orë pasi doli nga Kuvendi si deputet.
2021: Pak praktikë nga e kaluara
Mbrëmjen paraprake kishte dalur të njoftonte se “nesër” e dorëzon postin e kryeministrit te pasardhësi i vet – ndërsa deri sa e kishte dorëzuar atë s’kishte shkuar të betohej si deputet në Kuvendin e Kosovës.
Të njëjtën e kishte bërë edhe Armend Zemaj, si Ministër i Shëndetësisë, i cili së pari kishte dorëzuar detyrën te pasuesi i tij, dhe pastaj bërë betimin si deputet.
Në seancën e verifikimit të deputetëve të 23 marsit 2021, Hoti kishte munguar, teksa po dorëzonte mandatin e kryeministrit.
Kjo ngase kushtetuetshmërisht përcaktohet që s’mund të ushtrosh funksionin edhe të anëtarit të qeverisë edhe të deputetit.
Por, kjo s’ishte rasti sot me Vetëvendosjen – përkatësisht me Albin Kurtin, i cili supozon edh të betohet si deputet edhe të vazhdojë të ushtrojë funksionin e kryeministrit në detyrë.
Qysh e pa këtë situatë ish-Kryetari i Kushtetueses Enver Hasani?
Për Profesorin Enver Hasani, Kurti po të betohej si deputet, nuk do të mund të hynte në zyrën e Kryeministrit, pa u zgjedhur me anë të një procesi të ri.
“Unë mendoj se kanë bërë gabim (deputetët) që nuk e kanë miratuar (raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve), sepse në momentin që jep betim kryeministri ose kushdo tjetër, nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion ekzekutiv apo funksion tjetër publik. Do të thotë, sipas fuqisë kushtetuese, ai funksion do t’i ishte ndërperë dhe nuk do të mund të kthehej në Zyre (të kryeministrit).
Te ne mund të ndodhë gjithçka dhe ai (Kurti) ka mundur të vazhdojë t’i bëjë të gjitha.
Por, edhe po të mos ishte Ligji për Qeverinë, i cili e detyron (kryeministrin) që të japë dorëheqje, pa ekuivoke, para momentit të certifikimit (si deputet), përkatësisht, para certifikimit, atëherë çështja e Kushtetutës është e qartë – në momentin që e jep betimin (si deputet) nuk mund të kesh dy lojalitete.” – tha Hasni për REL.
IKD: Qeveria në detyrë s’mund të udhëhiqet nga deputetë – partitë politike të konstituojnë Kuvendin
IKD ka theksuar se paqartësitë rreth çështjes së dorëheqjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar janë krijuar si rezultat i mosrregullimit adekuat të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Tutje, IKD ka theksuar vazhdimisht se në frymën e funksionimit të institucioneve, dispozitat kushtetuese dhe ligjore në këtë situatë duhet të interpretohen në atë mënyrë që anëtarët e Qeverisë duhet të japin dorëheqje në momentin e dhënies së betimit si deputetë.
Letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlen për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet.
Në bazë të Ligjit Nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit të tij si deputet. Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por se nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon tek zv. Kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëheqen nga zv. Ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast, ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën.
Tutje, IKD thekson se letra e dorëheqjes duhet të jetë e qartë dhe mos të lejojë hapësira për interpretime. E njëjta letër nuk duhet t’i drejtohet ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjufca. Aktualisht, deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Mbi këtë çështje, letra e dorëheqjes duhet drejtuar tek Kryesuesi i seancës konstituive, që sipas Rregullores së Kuvendit duhet të jetë deputeti më i vjetër, e që në këtë rast është z. Avni Dehari.
Krejt në fund, IKD u bën thirrje të gjitha partive politike që duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të konstituojnë sa më shpejtë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.