Kryediplomati kinez udhëton në Rusi
Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden udhëtoi në Ukrainë për t'u takuar me kolegun e tij Volodymyr Zelensky, kryediplomati i Kinës njoftoi një udhëtim në Rusi, shkruan CNN.
Wang Yi, i cili u promovua në postin e këshilltarit kryesor për politikën e jashtme të liderit kinez Xi Jinping muajin e kaluar, do të mbërrijë në Moskë këtë javë si pjesë e turneut të tij tetë-ditor evropian. Dy udhëtimet, të cilat zhvillohen pak ditë para përvjetorit të pushtimit, nxjerrin në pah mprehjen e vijave gjeopolitike të ndarjes mes dy superfuqive të botës, shkruan CNN.
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën, Wang iu drejtua zyrtarëve evropianë të mbledhur si "miq të dashur" dhe vlerësoi angazhimin e Kinës për paqen.
"Ne nuk po i hedhim benzinë zjarrit dhe jemi kundër përfitimit nga kjo krizë", tha Wang. "Disa fuqi mund të mos duan të shohin bisedimet e paqes. Atyre nuk u intereson jeta dhe vdekja e ukrainasve apo dëmtimi i Evropës. Ata mund të kenë qëllime strategjike më të mëdha se vetë Ukraina. Kjo luftë nuk duhet të vazhdojë", tha Wang.
Wang njoftoi gjithashtu planin e Pekinit për të nxjerrë propozimin e tij për një "zgjidhje politike" të krizës në Ukrainë.
Kremlini konfirmoi vizitën e planifikuar të Yi në Moskë, por nuk specifikoi datën e udhëtimit. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve: Ne nuk përjashtojmë një takim midis Wang dhe Presidentit Putin. Agjenda është e qartë dhe shumë e gjerë, kështu që ka shumë për të folur. /Nacionale/