Krizës politike nuk po i shihet fundi, partitë nuk japin shenja kompromisi as pas aktgjykimit të tretë të Kushtetueses - NACIONALE

Krizës politike nuk po i shihet fundi, partitë nuk japin shenja kompromisi as pas aktgjykimit të tretë të Kushtetueses

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Krizës politike në Kosovë nuk po i shihet fundi. Kjo pasi partitë politike nuk po japin shenja kompromisi edhe pasi Gjykata Kushtetuese ka publikuar dispozitivin e aktgjykimit të tretë për konstituimin e Kuvendit.

Partitë politike kanë vazhduar të ia hedhin fajin njëra-tjetrës për ngërçin politik që e ka kapluar Kosovën pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ndonëse thonë se janë në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë, përfaqësuesit e partive politike nuk kanë treguar gatishmëri për kompromis rreth tejkalimit të situatës aktuale politike.

Aspak gatishmëri për një kompromis të tillë nuk po tregon as VV-ja.

Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, dje la të nënkuptohet se do të vazhdojë me avazin e vjetër.

Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë, por ajo që mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhë kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhë katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdoj puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese nuk mund të anulojë votimin për Emilja Rehepi.

Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq”, ka deklaruar ai, duke e kritikuar “opoziten” që nuk e ka votuar Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit.

Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori vetëm 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, ka thënë Kurti.

Kurse, përfaqësuesit e “opozitës” e kanë kritikuar VV-në për bllokadën në vend.

PDK-ja ka bërë me dije se nuk do të ketë votë për postin e nënkryetarit nga Lista Serbe.

Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka bërë me dije se VV-së po i konvenon ngërçi politik aktual.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Nura ka thënë se PDK-ja ka bërë mjaftueshëm për daljen nga situata.

Absolut, atyre iu konvenon kjo gjendje që është tani Kosova, nuk iu konvenon krijimi i institucioneve, ata e dinë që do të kenë vështirësi edhe në krijimin e qeverisë, realisht Kuvendin kanë mundur me krijua që me kohë po të kishin dashur dhe kishin pasur vullnet ata. PDK ka sakrifikua mjaftueshëm që e kemi votua kryetarin e Kuvendit dhe ata gjithnjë janë thirr që këtu jemi bllokuar se për tjerat do i bëjmë dhe i kemi numrat, gjithherë kanë thënë. PDK mendoi që nuk do të ketë votë për nënkryetar të as të Listës Serbe, por as të pakicave. Nenad Rashiqin besoj që nuk do e votojmë edhe po të hidhet në pako. Rashiq është duke u keqpërdorur nga LVV, duke e parë që ai nuk mund ta merr atë pozitë për shkak se Kushtetuta e përcakton një diçka të tillë”, ka deklaruar Nura.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, i ka komentuar qëndrimet e Albin Kurtit ndaj aktgjykimit të tretë të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin politik.

Ai ka bërë me dije se përgjegjësi kryesor për moskonstituimin e Kuvendit është Albin Kurti dhe partia e tij.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se për 8 muaj VV-ja ka dëshmuar paaftësi për formimin e institucioneve të reja.

Është ulur tash e sa muaj edhe në ulësen e deputetit edhe të kryeministrit, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. E ka bllokuar me VV-në e tij konstituimin e Kuvendit dhjetëra herë, me muaj të tërë, duke u përpjekur të imponojë kandidaturë dhe procedurë për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit jashtë praktikës së zakonshme parlamentare. Tash, kur Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk është konstituuar ende Kuvendi i Kosovës, Albin Kurti po thotë se “është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Mbas një jave, më 9 tetor, bëhen tetë muaj prej kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Ndonëse doli e para në zgjedhje, me rezultat shumë të mirë, Vetëvendosja dëshmoi paaftësi për formim të institucioneve në përputhje me norma demokratike dhe ligjore”, ka shkruar ai.

Çka tha Kushtetuesja?

Gjykata Kushtetuese këtë javë e ka publikuar dispozitivin e aktgjykimit të tretë për ngërçin politik, i cili ka të bëj me mos zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Në dispozitiv gjykata ka konstatuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar gjykata.

TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, ka vlerësuar gjykata, duke ua rikujtuar deputetëve obligimet.

TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, është thënë në dispozitiv.

Më tej, Kushtetuesja ka vlerësuar që të vazhdojë masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.

Lajme të ngjashme