Kritika në Kosovë e Shqipëri për mbledhjen e përbashkët të kuvendeve: Çka ndodhi dje?
Për hërë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë mbajtën mbledhje të përbashkët me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Fjalimet e mbajtura në këtë mbledhje u kritikuan ashtu siç u kritikua në përgjithësi mbledhja. Çka ndodhi dje?
Të dielën, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët. Mbledhja u organizua me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë.
Në këtë mbledhje, fjalime mbajtën kryetarët e dy kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Lindita Nikolla, kryeministrat e dy vendeve, Albin Kurti dhe Edi Rama si dhe të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Kryesisht fjalimet e tyre kishin të bënin me historinë e datës 28 Nëntor dhe urimet për këtë ditë.
Kryeministri i Albin Kurti, në fjalimin në mbledhje ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet ta takohen më shpesh dhe që t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit.
“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte dhe jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gur”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndër të tjera në fjalimin e tij tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë vetëm të shkëlqyera, por edhe produktive.
“Dy emra do të sjell në vëmendje pa të cilët nu kuptohet ardhja deri në këtë ditë e as vazhdimësia përtej kësaj dite: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këto lidhen me Ibrahim Rugovën njeri i munguar sot, dhe Hashim Thaçi, një tjetër i munguar i madh sot në këtë sallë që është ndarë përkohësisht në një mision që vazhdon”, përfundoi fjalimin e tij Edi Rama.

Përveç tyre, në këtë mbledhje, fjalime mbajtën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Të cilët disa nga ta përmenden edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë teksa të tjerët nuk thanë asnjë fjalë për ta.
“Krizën e mendimit politik, patetizëm”
Por në Kosovë e Shqipëri, kjo mbledhje u pa si e panevojshme dhe patetike.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, në një shkrim në Facebook, shkroi se fjalimet në këtë mbledhje shprehin krizën e mendimit politik, kulturor e kombëtar.
“Mbledhja e sotme e përbashkët e të dy kuvendeve, vetvetiu është ngjarje e bukur. Si e tillë duhet të përjetohet. Ndërsa fjalimet që u mbajtën aty, e shprehin krizën e mendimit politik, kulturor e kombëtar në tërë hapësirat shqiptare. (Kam shkruar shpesh për gjendjen e tij, këtu nuk po e prish solemnitetin e postimit.) Pas kësaj ngjarjeje të bukur, Kuvendet duhet të fokusohen në tri fusha: fuqizimin e parlamentarizmit në dy shtetet tona, fuqizimin e atlantizmit në tërë hapësirat shqiptare dhe rikthimin e shqiptarizmit si frymë e si botëvështrim, në të gjitha nivelet e komunikimit dhe të veprimit.”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, politiologu Avdi Smajlaj, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria sa më parë duhet që ta pranojnë realitetin nëse dëshirojnë të ecin tutje.
“Si mund të cilësohet ndryshe përveq demagogji festash, të flasësh për bashkim kombëtar e të shteteve, kur të paktën bashkëpunimi (e lere më bashkimi) mes dy shteteve është i krahasueshëm ose në disa raste edhe më i vogël sesa me shtetet tjera. Është më e lehtë të thurësh këngë sharkiash për bashkim, sesa të punosh për bashkëpunim.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj, shkroi se në mbledhjen e dy kuvendeve pati “shumë hipokrizi e folklorizëm”.
Ndërkaq, profesori i filozofisë në Universitetin e Tiranës, Artan Fuga, ka denoncuar mbledhjen e përbashkët të sotme të Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës duke nënkuptuar se ajo në fakt nuk jepte kurrfarë mesazhi politik.
Ai tregoi edhe kushtet e pamundësisë së këtij mesazhi politik, duke përmendur një varg faktesh që nuk u përmendën në mbledhjen e përbashkët.
Fuga në Facebook shtoi se 28 nëntori është “dita e pavarësisë së Shqipërisë, jo e Kosovës”.
Kujtojmë se kjo ishte mbledhja e parë e dy kuvendve dhe duket se këto mbledhje do të vazhdojnë edhe gjatë viteve të ardhshme.



