Kritika BE-së, Lajçakut, Borrellit, opozitës: A është Donika Gërvalla “skifterja” e Qeverisë? - NACIONALE

Kritika BE-së, Lajçakut, Borrellit, opozitës: A është Donika Gërvalla “skifterja” e Qeverisë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëse një njohës i politikës do të pyetej për një përmbledhje të punës së Donika Gërvallës si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjasat janë që ky njohës të thoshte një fjalë me shtatë shkronja: kritikë. Gjatë gati katër viteve në pushtet, Gërvalla ka pasur shumë kritika ndaj Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të saj si Miroslav Lajçak e Joseph Borrell dhe opozitës parlamentare. Andaj, pyetja më legjitime është e thjeshtë: A është Donika Gërvalla “skifterja” e Qeverisë së Kosovë?

Së pari, duhet të sqarojmë që termi skifter nënkupton një politikë agresive, qëndrime polarizuese dhe nganjëherë linçuese karshi kundërshtarëve në politikë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë është çështje krejtësisht e pranuar se ekzistojnë skifterët në politikë.

Kur jemi te “Toka e Premtuar”, Gërvalla vite më parë kishte pasur një qëndrim absolutisht të kritikueshëm në lidhje me ShBA-të, vendin më aleat të Kosovës.

Një barcaletë, e treguar nga një punonjës i Ambasadës Amerikane: „Pse është Amerika shteti më demokratik në botê? Sepse nuk ka Ambasadë Amerikane!” – kishte shkruar Gërvalla më 31 mars të vitit 2020.

Shënjestra nr. 1: BE-ja si tigër prej letre

Në shënjestër të kritikës së Gërvallës më së shpeshti ka qenë BE-ja, një institucion i rëndësishëm, ku Kosova mëton të anëtarësohet. Ndoshta deklarata më e famshme e saj, që kishte bërë jehonë në Kosovë e gjetiu, është portretizimi që Gërvalla i bëri BE-së si “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.

“Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe ajo që ne pyesim veten është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?

Mendimi im është që BE-ja nuk mundet. Të njejtën gjë e tha para pak ditësh edhe një prej analistëve më të rëndësishëm gjermanë. Ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë.

Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit” – kishte thënë Gërvalla.

Shënjestra nr. 2: Lajçaku e Borrelli

Në disa raste, Gërvalla ka pasur fjalë të ashpra ndaj Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në një rast, Gërvalla kishte vlerësuar se sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit është dëshmiar që Lajçaku ka dështuar.

Banjska është dëshmia më e mirë që Lajçaku e ka dështuar në gjithë procesin e dialogut” – kishte thënë Gërvalla.

Në një rast tjetër, Gërvalla e kishte cilësuar Lajçakun si të njëanshëm, duke e akuzuar se po ia mbante anën Serbisë në dialogun në Bruksel.

Lajçak, nuk është hera e parë kur ai është treguar tërësisht i njëanshëm në një proces dialogu, në të cilin BE duhet të sigurohej të jetë i paanshëm. Ne disa herë e kemi shprehur pakënaqësinë tonë në mënyrë interne rreth faktit se si Lajçak e udhëheq këtë dialog dhe javën e kaluar është mbushur kupa. Ka qenë tepër i hapur qëndrimi i Lajçakut në favor të Serbisë” – kishte vlerësuar ministrja Gërvalla.

Gërvalla nuk i kishte kursyer fjalët e ashpra as ndaj Borrellit, duke e quajtur “joparimor”.

“Tani joparimor ka qenë qëndrimi i zotit Borrell në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është që kam pritje të larta në hapat e fundit që mund të ndërmerren dhe që duhet të ndërmerren” – kishte thënë kohë më parë Gërvalla.

Shënjestra nr. 3: Opozita

Në një paraqitje televizive, Gërvalla e kishte kritikuar LDK-në, duke konkluduar se kjo parti “lidhjet me të fuqishme i kanë me Sami Lushtakun”

As emrin nuk duan ta kenë LDK-në. Lidhjet me të fuqishme i kanë me Sami Lushtakun”, kishte thënë Gërvalla, ndër tjera.

Ndërsa PDK-në, Gërvalla e kishte akuzuar për lidhje me krimin.

Unë nuk mendoj që ka për të ndodhur. Të flasim për realitetin. Në rastin ekstrem që nuk pres te ndodhë në mandatin e ardhshëm, nëse PDK do të ishte ndarë nga njerëz që përfaqësojnë krimin dhe korrupsionin, nuk do të shihja asnjë pengesë. i njoh mirë nga e kaluara, me ata njerëz nuk shoh koalicion” – kishte thënë ajo.

Lajme të ngjashme