Gërvalla thotë se LDK është bërë si PDK: Nuk mund të vijnë në pushtet pa njëra-tjetrën
Kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka thumbuar edhe ish subjektin e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e ka krahasuar me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, është bërë më shumë siç ka qenë PDK-ja në të kaluarën”, thotë mes tjerash ajo për Raporto24
Ministrja e Jashtme thotë se PDK-ja dhe LDK-ja nuk mund të vijnë pa njëra tjetrën në pushtet.
“Një gjë duhet ta kemi të qartë në të ardhmen e afërt nuk pritet që të ketë më shumë se dy konstelacione politike në Kosovë, në njërën anë janë dy partitë e opozitës PDK dhe LDK, të cilat e dijnë se pa njëra-tjetrën për një kohë të gjatë nuk do të mund të vijnë në pushtet, dhe fatkeqësisht e them si një person që për një kohë të gjatë ka vepruar në LDK, që më shumë i është afruar Lidhja Demokratike e Kosovës, është bërë më shumë siç ka qenë PDK-ja në të kaluarën e identifikuar se ca që të ketë mundur ta marrë PDK-në në një rrugë pozitive”, deklaroi ajo.
Kurse për subjektin që ajo drejton, dhe për partnerët nga Lëvizja Vetëvendosje, Gërvalla thotë se janë një bllok që krijojnë alternativa duke u angazhuar në ç’kapjen e shtetit.
“Pra, LDK, PDK pa njëra-tjetrën nuk do të mund të vijnë në pushtet për një kohë të gjatë, dhe në anën tjetër do të kemi bllokun Vetëvendosje-Guxo, i cili, hap pas hapi po tregojnë që ofrojnë alternativa të jashtëzakonshme jo vetëm në luftimin e korrupsionit dhe të krimit, jo vetëm në c’kapjen e shtetit, por edhe në një zhvillim ekonomik të paparë deri sot në Kosovë”, ka thënë Gërvalla.