Krasniqi: S’më kujtohet ndonjë rast ku opozita i thotë pushtetit dërgoje mandatin deri në fund, e vështirë ta kuptoj - NACIONALE

Krasniqi: S’më kujtohet ndonjë rast ku opozita i thotë pushtetit dërgoje mandatin deri në fund, e vështirë ta kuptoj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit “është ezauruar”.

Ai në një konferencë për media, u shpreh se thirrja e PDK-së për koordinim rreth shpërndarjes së Kuvendit nuk ka gjetur mbështetje.

“PDK propozoi dy data: 30 qershorin dhe 7 korrikun. Sot më 29 maj, ashtu siç e kam cekur si afat në letrën e dërguar tre liderëve politikë, duke ndjerë keqardhje për shtetin dhe qytetarët, mundësia për shpërndarjen e Kuvendit tashmë është ezauruar. Thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim që të shpërndajmë Kuvendin nuk ka gjetur mbështetjen e mjaftueshme.” – u shpreh ai.

Tutje, Krasniqi shtoi:

“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative të partisë në pushtet për zgjedhje, por jam i habitur nga mosgatishmëria e partive në opozitë për ta bërë një gjë të tillë. Kjo ia zgjat mandatin pushtetit aktual. PDK-ja ka qenë dhe është e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj qeverie. Edhe për ne dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar për zgjedhje. Por si mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit. Duke parë nevojën që vendi të shkojë në zgjedhje, për ne kishte më shumë rëndësi qëllimi se mënyra. PDK-ja gjatë kësaj kohe ka dëshmuar seriozitetin për t’i dhënë fund keqqeverisjes. E dëshmuam edhe kur e nominuam si kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën. Këtë e dëshmuam të premten më 24 maj kur u paraqitëm për ta mbështetur rezolutën për shkarkimin e qeverisë. Këtë e dëshmuam me letrën e fundit që ua dërgova kryetarëve të partive pralamentare. Si PDK tash e shumë muaj e kemi konsideruar se vendi ka nevojë për qeveri të re, kredibile, të aftë e të përgjegjshme. Kosova po humb kohë të vlefshme”.

Kreu i PDK-së mes tjerash në përgjigjen e tij ndaj gazetarëve, tha se kolegët nga opozita nuk ishin “të gatshëm”.

Sipas tij, opozita ka kohë që ka konstatuar që Qeveria po i sjell dëme vendit dhe se zgjedhjet janë mundësia e vetme.

“Unë jam i habitur sepse të gjithë ne në opozitë ka kohë kemi konstatuar se kjo qeveri po i sjell dëme vendit. Një qeveri e re mund të zgjidhet vetëm përmes procesit të ri zgjedhor. Zgjedhjet e reja janë mundësia e vetme për ta përfunduar mandatin e kësaj qeverie të dëmshme. Refuzimi për të shkuar në zgjedhje është befasues.” – tha ai.

Krasniqi tha se “nuk do të spekulojë” mbi përgatitjen e partive të tjera, por sipas tij, nuk ka ndonjë rast tjetër kur opozita i ka thënë pushtetit “dërgoje mandatin deri në fund”.

“Nuk dua të spekuloj se a janë të papërgatitura partitë e tjera opozitare, a kanë nevojë për kohë më shumë, por një gjë e di nuk më kujtohet ndonjë rast tjetër në historinë e demokracisë parlamentare ku qeveria thotë jam e gatshme për zgjedhje, e opozita thotë dërgoje mandatin deri në fund. E kam vështirë ta kuptoj e ta arsyetojë…Një alternativë që i jep Kosovës një qeveri të përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, për të cilën ka aq shumë nevojë Kosova sot.” – tha ai.

Lajme të ngjashme