Krasniqi: Sa herë që LVV s'i ka numrat për të marrë atë që do, ajo zgjedh bllokadën para kompromisit
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar lidhur me zhvillimet politike rreth procesit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje se po synon bllokimin e procesit institucional.
Krasniqi shkroi në Facebook se takimet e fundit ndërmjet pushtetit dhe opozitës nuk kanë qenë përpjekje reale të qeverisë Kurti III për kompromis, por sipas tij një veprim politik për të krijuar përshtypje në publik.
“Sa herë që LVV nuk i ka numrat e nevojshëm për të marrë atë që do, ajo zgjedh bllokadën para kompromisit. Takimet me opozitën ishin vetëm një farsë politike, që synonte të krijonte përshtypjen publike se po bëhen përpjekje për zgjedhjen e Presidentit,” ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, qëllimi i vërtetë i kësaj qasjeje është zvarritja e procesit deri në përfundimin e mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
“Në realitet, që nga fillimi qëllimi ka qenë tjetër: të zvarritet procesi dhe të krijohet një bllokadë institucionale deri në përfundimin e mandatit të Presidentes Osmani. Në një skenar të tillë, ajo largohet nga zyra dhe funksionin e Presidentes e ushtron Kryetarja e Kuvendit,” ka shtuar ai.
Sipas Krasniqit, një situatë e tillë do t’i mundësonte shumicës parlamentare të rrisë kontrollin institucional dhe të ushtrojë presion politik ndaj opozitës.
“Kjo do t’i jepte shumicës mundësinë të kapë edhe organin e akuzës dhe, përmes kësaj, të rrisë presionin dhe shantazhin politik ndaj opozitës,” ka përfunduar Krasniqi.