Krasniqi pas takimit Hamza-Kurti: Nuk do të më shihni duke hyrë me Kurtin në Kuvend
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri në largim, Albin Kurti kishte insistuar që ta vizitojë kreun e Mitrovicës dhe kandidatin e kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai ka thënë se në takim nuk është folur për bashkëpunim, dhe ka mohuar mundësinë e një gjëje të tillë në të ardhmen.
“Besoj që z.Hamza ka qenë shumë i qartë dhe e ka treguar ashtu siç ka ndodhur. Kurti me insistim ka dëshiruar të ketë një takim për të diskutuar tema ndër komunale, që realisht nuk është punë e tij. Por në një situatë ku nuk merret me asnjë temë për të mirë të qytetarëve, është i mirë për shoë e propagandë.
Në traditën e shqiptarit kur vjen edhe i huaji, është me ia hapë derën. Ne s’jemi në hasmëri, normal që mirëpritet. Z.Hamza është ndër politikanët që ka ndërtuar ura bashkëpunimi...Është e vërtetë, as që është pritur, as që kemi dëshirë, as që është diskutuar për çfarëdo çështje që lidhet me tema nacionale, aq më pak për bashkëpunim.
Kështu që jo, nuk do të më shohësh me z.Kurti duke hyrë në Kuvend për të bërë koalicion” – u shpreh ai.