Krasniqi i shqetësuar me ikjen e të rinjve: Kjo është beteja që duhet ta bëjmë 15 vjet pas pavarësisë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e tij për fenomenin e ikjes së të rinjve nga Kosova.
Ai sot ka vizituar një familje në komunën e Gjilanit, të cilës vetëm në dy vite e fundit i janë larguar dy djem, ndërsa i treti sot ka marrë përgjigjen pozitive nga ambasada sllovene për vizë pune.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se për Kosovën është shumë shqetësuese ikja e rinjve.
“Gjatë këtyre dy viteve, dy djemtë e Ramadan Arifit kanë emigruar në Slloveni, ndërsa i treti sot kishte marrë përgjigjen pozitive nga Ambasada e këtij shteti për vizë pune. Njëri djalë i Sadik Ramadanit, që është edhe prind dëshmori, ka emigruar në Itali, ndërsa i vetmi djalë i Arif Sinanit në Gjermani, për shkak të pasigurisë në punësim, mungesës së perspektivës dhe zhgënjimit me qeverisjen pa vizon e pa drejtësi. Është shqetësuese si çdo ditë të rinj të talentuar e me potencial, si dhe profesionistë të shumtë, po e braktisin vendin në mungesë të sigurisë dhe garancës për një të ardhme prosperuese”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se ndalja e këtij fenomeni është beteja që duhet ta bëj Kosova 15 vjet pas pavarësisë.
“Andaj, misioni ynë është të zhvillojmë shtetim tonë, ku të rinjtë të kenë të gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen këtu, të ngrisim nivelin e zhvillimit ekonomik duke krijuar vende të reja pune e me paga dinjitoze, si dhe të investojmë për arsim dhe shëndetësi të qëndrueshme. Kjo është beteja që duhet ta bëjmë 15 vjet pas pavarësisë, që Kosova të mos zbrazet. Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të angazhohet për të arritur këtë synim. Bashkë, do ta kthejmë shpresën dhe besimin në Kosovë!”, ka shkruar Krasniqi.
