Krasniqi i PDK-së denoncon keqmenaxhimin milionësh në Malishevë: Shkelje flagrante e ligjit, qytetarët po paguajnë çmimin
Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Malishevës, Dr. Gëzim Krasniqi, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale në këtë komunë.
Në një konferencë për media, ai ka publikuar gjetjet e raportit të fundit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për projektin “Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës”.
Ai ka bërë me dije se bëhet fjalë për një skandal të madh financiar dhe menaxherial në këtë projekt.
“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar gjetje alarmante lidhur me projektin më të madh të financuar në Komunën e Malishevës, “Ndërtimi i sheshit me nënkalime dhe parkingun nëntokësor”, me vlerë 8.28 milionë euro. Ky projekt është shndërruar në shembull tipik të keqmenaxhimit dhe abuzimit me paratë publike. Raporti i ZKA-së tregon se projekti ka nisur pa një planifikim të detajuar, është shoqëruar me mungesë të plotë transparence dhe me tejkalim drastik të buxhetit. Përveç kontratës bazë, komuna ka lidhur aneks-kontratë mbi 800 mijë euro dhe ka ridestinuar 520 mijë euro nga projekte tjera, ndërkohë që deri në përfundim pritet të shtohen edhe mbi 500 mijë euro të tjera”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera rreth gjetjeve të auditorit.
“Skandali më i madh i evidentuar është në çmimet e kontraktuara. Plot 28% e tyre ishin shumëfish më të larta se ato të vlerësuara, ndërsa në dy raste, çmimet dolën deri në 1600% më të shtrenjta. Po ashtu, në 37% të pozicioneve janë zbuluar dallime mes projektit, kontratës dhe realizimit, duke e bërë krejt të paqartë sasinë dhe cilësinë e punimeve. Projekti është zhvilluar pa mbikëqyrje profesionale, pa organ monitorues të pavarur, pa plan zhvillimor urban dhe pa konsultim me qytetarët. Madje, punimet kanë nisur para se të siguroheshin lejet e ndërtimit, një shkelje e rëndë ligjore dhe administrative”, ka vlerësuar ai.