Krasniqi: Asociacioni duhet të përfshihet në një marrëveshje që çon në njohje reciproke
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të përfshihet në një marrëveshje të përgjithshme me Serbinë që çon në njohje reciproke.
Krasniqi e ka quajtur të papranueshëm propozimin e shteteve evropiane, të cilat kanë marrë mbështetje edhe nga SHBA-të për një marrëveshje pa njohje, me supozimin se kjo mund të krijojë një status-quo të re.
"Asociacioni edhe kur është diskutuar asnjëherë nuk është diskutuar që të ketë kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk është diskutuar dhe as kërkuar që të ketë çfarëdo lloj karakteri që del jashtë Kushtetutës së Kosovës. Asociacioni nëse themelohet dhe ai duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme që rezulton me njohje të ndërsjellë, duhet të jetë një grumbullim i kompetencave ekzistuese brenda Kushtetutës së Kosovës, të cilat mund të modelohen për t’iu dhënë një siguri që e kërkojnë komuniteti serb në Kosovë. Unë besoj se vizioni i institucioneve, qeverisë dhe i Kosovës duhet të jetë jo se çka kërkon Serbia por çka kërkojnë qytetarët e komunitetit serb të Kosovës dhe nëse kjo është qasja unë besoj që do të jetë më e lehtë që të arrihet deri te ai moment ku modelohet edhe Asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës por gjithsesi brenda një pakoje, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse obligative për të gjithë që rezulton me njohjen e ndërsjellë." - ka thënë Krasniqi.
"Unë e kam parë vetëm versionin e parë të dokumentit dhe nuk e kam parë dokumentin e ri që është sjellë në Kosovë. E kam bërë të qartë se versioni i parë është i papranueshëm për Kosovën dhe unë nuk besoj që ka parti politike shqiptare që mund ta pranojë një gjë të tillë sepse realisht ai dokument kërkon që të hiqet dorë së paku për një periudhë të caktuar nga njohja e ndërsjellë. Realisht kjo do të ishte një transformim i madh i kërkesës të cilët e kemi të gjithë që të ketë një marrëveshje me njohjen në qendër dhe kjo është një marrëveshje me Asociacionin në qendër dhe jo me njohjen. Kështu që shpresoj shumë dhe kjo ka qenë kërkesa ime drejtuar kryeministrit që të trajtojë këtë temë seriozisht dhe ta angazhohet që të nxjerrë më të mirën." - ka thënë kreu i PDK-së.