Kraja tregon qëndrimin e akademikëve për analizën e tij: Vetëm Mustafa dhe Bajrami u përgjigjen me shkrim - NACIONALE

Kraja tregon qëndrimin e akademikëve për analizën e tij: Vetëm Mustafa dhe Bajrami u përgjigjen me shkrim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka reaguar ndaj deklaratës së Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, i cili sot është distancuar nga analiza e kryeakademikut.

Në reagimin e tij, Kraja ka thënë se më 17 janar 2022, në mbledhjen e Kryesisë së Akademisë është diskutuar teksti i analizës, ku akademikët kanë dhënë mendimet e tyre.

Ai ka treguar se vetëm akademik Sabri Hamiti në këtë mbledhje ka shprehur rezerva për shpërndarjen e saj.

Sipas tij, analizën e kanë përkrahur Justina Shiroka-Pula, Luan Mulliqi, Rauf Dhomi, Fetah Podvorica dhe Gjylieta Mushkolaj.

Në reagimin e tij të gjatë, Kraja ka treguar qëndrimet që kanë mbajtur akademikët në këtë mbledhje.

1. Justina Shiroka-Pula, nënkryetare, e përkrah si iniciativë dhe thotë se ia ka përcjellë kryetarit disa sugjerime; 2. Luan Mulliqi, sekretar shkencor, e mbështet analizën dhe kërkon që ajo të publikohet menjëherë; 3. Sabri Hamiti, sekretar i seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, analizën e quan politike dhe shprehet i rezervuar për shpërndarjen e saj; 4. Gjylieta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 5. Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës, e përkrah iniciativën dhe analizën, duke sugjeruar që ajo të plotësohet me referenca; 6. Rauf Dhomi, sekretar i Seksionit të Arteve, e mbështet analizën dhe sugjeron që ajo të publikohet menjëherë”, ka shkruar Kraja në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se prej të gjithë 38 anëtarë të akademisë janë përgjigjur me shkrim vetëm akademik Isa Mustafa dhe akademik Arsim Bajrami.

Ndër të tjera, ai ka treguar se gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë kanë ndodhur disa lëshime teknike.

Ndërkaq, gjatë publikimit në ueb-faqen e Akademisë, për ndonjë arsye teknike, mund të jetë shfaqur edhe versioni im i paredaktuar i tekstit, por së fundi në ueb qëndron teksti i përfundimtar, i autorizuar. Në fund, edhe përkundër koncensusit të gjerë mes anëtarëve të Akademisë dhe mbështetjes nga anëtarët e Kryesisë, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së institucionit, sot kam kërkuar nga shërbimet teknike që të vihet emri im në krye të tekstit analizës në ueb-faqen e Akademisë, që domethënë se unë marr përgjegjësinë për çdo shkronjë të këtij teksti”, ka shkrua Kraja.

Në reagimin e tij, Kraja ka mohuar pretendimet e seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut se ka pasur sjellje arbitrare.

E para, si kryetar i ASHAK nuk jam në pozitë të imponoj, e as nuk kam imponuar asnjë sjellje arbitrare, përveç se kam kërkuar të shtohet aktiviteti i seksionit dhe të vendoset ligjshmëri për mbarëvajtjen e punëve në Akademi”, ka shkruar Kraja.

Distancimi i ASHAK-ut

Sesioni i Shkencave Sociale në AShAK, sot ka njoftuar se teksti i botuar në faqen zyrtare të AShAK-ut është tekst i Mehmet Krajës, kryetar i AShAK-ut, dhe i paautorizuar për publikim.

1. Seksioni i Shkencave Shoqërore distancohet nga Dokumenti i publikuar në faqen zyrtare elektronike të AShAK dhe sqaron se ai është tekst i Kryetarit të Akademisë, z. Mehmet Kraja, i paautorizuar për publikim. Seksioni, që në fillim e ka kundërshtuar publikimin e këtij teksti joshkencor në emër të Akademisë, që shihet nga Procesverbali i mbledhjes së 26 janarit 2022!”, është thënë në reagimin e këtij seksioni.

Madje në deklaratën e tyre, ky sesion ka kritikuar Krajën për sjellje imponuese dhe arbitrare.

"Seksioni i Shkencave Shoqërore ka kohë që ia ka tërhequr vërejtjen Kryetarit të ASHAK-ut z. Mehmet Kraja për sjelljet imponuese e arbitrare, e që po e lëndojnë rëndë dinjitetin e institucionit në krye të të cilit është. Me qasjen e tij jo-akademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vet ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjellë përçarje me pasoja të rënda për vet Akademinë." - thuhet tutje.

Analiza

Siç shkroi Nacionale, analiza 38 faqe e AShAK-ut është e mbushur me interpretime të debatueshme e të kritikueshme. Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.

Përveç pa autor, raporti i AShAK-ut nuk ka as fusnota dhe gjuha e përdorur shpesh është politikisht jokorrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë. Për më shumë, dokumenti ka edhe gabime të shumta drejtshkrimore e çalime të fakteve, por edhe gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shiqipërisë dhe fesë islame. Në fakt, gjuha e përdorur nga AShAK-u përputhet me narrativën e LV-së kundrejt fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.

Në analizën e gjatë, institucioni më i lartë i shkencës dhe i arteve, që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, i cili e ka botuar analizën edhe në profilin e tij në Facebook, ka lëshuar akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, duke i akuzuar ato për keqqeverisje, korrupsion e krim.

Për më shumë, nëpërmjet një gjuhe aspak korrekte, AShAK-u e “godet” edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Madje, AShAK-u akuzon ish-ushtarët e UÇK-së të shndërruar në politikanë si uzurpues të pushtetit, duke shkruar se të njëjtit bënë krime e korrupsion.

I titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, në tekstin me 39 faqe, Kraja komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera.

Lajme të ngjashme