KQZ-ja verifikon nënshkrimet e peticionit në veri: Kur do të mbahen zgjedhjet nga të cilat varet heqja e masave të BE-së? - NACIONALE

KQZ-ja verifikon nënshkrimet e peticionit në veri: Kur do të mbahen zgjedhjet nga të cilat varet heqja e masave të BE-së?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot pritet të diskutojë për verifikimin e nënshkrimeve të peticionit të qytetarëve serb për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës.

Gazeta Nacionale nga burimet brenda KQZ-së ka mësuar se tashmë ka përfunduar procesi i verifikimit të nënshkrimeve të peticionit.

I njëjti burim ka thënë se tashmë mund t`i hapet rruga e votimit për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

KQZ-ja ka përfunduar procesin e verifikimeve të nënshkrimeve të peticionit dhe është arrit përqindja e kërkuar prej 20 për qind. Në këtë mënyrë është plotësuar kushti për hapin e radhës që është organizimin i votimit për shkarkimi e katër kryetarëve në veri”, ka thënë burimi i gazetës.

Ndërsa, zëdhënësi i zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nuk ka dhënë shumë detaje për këtë çështje.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka treguar se mbledhje e KQZ-së, ku do të diskutohet për këtë çështje, do të mbahet sot në ora 13:30.

Të premten, më 8 mars 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend të ditës është planifikuar të prezantohet raporti lidhur me verifikimin e peticioneve të pranuar nga kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”, ka deklaruar Elezi.

Nga këto zgjedhje varet heqja e masave ndëshkuese të BE-së

Përfaqësuesit institucionalë të Kosovës kanë bërë me dije se zgjedhjet e reja për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit do të mbahet si të plotësohet kushtet e nevojshme.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e reja në veri do të mbahen se shpejti.

Në debatin “Efikasiteti dhe ndikimi i peticioneve të qytetarëve si mjet i ushtrimit të të drejtave dhe ndryshime në shoqëri”, i cili është mbajtur dje, Krasniqi ka thënë se KQZ-ja duhet të bëj pjesën që i takon në këtë proces.

KQZ duhet ta përfundojë pjesën e saj të punës dhe duhet të ketë votim në katër komunat së shpejti”, ka thënë ai, duke shtuar nuk pritet të ketë ndonjë pengesë në këtë drejtim.

Nuk shoh ndonjë pengesë ligjore që do ta bënte të pamundur mbajtjen e këtij votimi”, është shprehur ai.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se zgjedhjet e reja në veri pritet të mbahen shpejt.

Menjëherë mbasi të konfirmohen rezultatet për largimin e kryetarëve që kërkojnë mbi 50 për qind të të gjithë trupit votues që të votojnë pro, dhe në qoftë se ndodh një gjë e tillë, në mes 30 dhe 45 ditëve, unë si presidente caktoj zgjedhjet e reja lokale”, ka thënë Osmani javën e kaluar.

Me këtë rast, e para e shtetit, ka bërë me dije se nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve varet edhe heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Është e domosdoshme që të ecim përpara gjithnjë në përputhje me ligjin dhe procedurat e përpara”, ka thënë Osmani.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se vendet anëtare të BE-së do ta vlerësonin si sinjal pozitiv mbajtjen e zgjedhje në veri.

Një nga ato opsione që sigurisht do të konsiderohej si sinjal pozitiv ishte mundësimi i zgjedhjeve të reja të shpejta lokale në veri të Kosovës dhe mënyra më e shpejtë vazhdon të jetë dorëheqja e kryetarëve të komunave. Një sinjal tjetër pozitiv do të ishte dërgimi i Draft Statutit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk ka ndodhur”, është shprehur emisari i BE-së.

Lajme të ngjashme