Mes kërcënimeve e debateve të ashpra KQZ-ja miraton buxhetin për zgjedhjet: Fletëvotimet e diasporës do të dërgohen me postë
Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka votuar sot buxhetin për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, i cili është propozuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Ky propozim parasheh që buxhetit t`i shtohet shuma për realizimin e votimit jashtë vendit përmes dërgimit të fletëvotimeve me postë.
Në këtë mënyrë është hedhur poshtë propozimi fillestar nga sekretariati që nuk parashihte pjesën shtesë, i cili përkrahej nga VV-ja dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Miratimi i këtij buxheti e ka nervozuar VV-në.
Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, ka kërcënuar anëtarët e KQZ-së që e votuan sot buxhetin për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Në mbledhjen e KQZ-së, ai ka bërë me dije se ata që e kanë votuar këtë buxhet do të kenë pasoja.
“Një paralajmërim po ua jep të gjithëve, edhe zonjes Myfera që votojë për këtë pjesë. Paralajmërimi është kështu: më 12 dhjetor fillon votimi përmes postes. Ju tash që keni votu për, ju veç buxhetin e votuat, por dine për pasoja që keni me i pasë, edhe publikisht, edhe administrativisht, edhe cilado qofshin. Nëse për shkak të veprimeve tuaja mërgatës ju po ja mohoni formën e votimi përmes postës. Kështu që, le t`i merr secili propozimet e veta, por edhe sekretariatit le t`i shikon mirë. Sepse raporti që ata e kanë sjell tregon qartë që nuk mundohesh një votim i tillë. Nëse publikisht, sot ka njerëz këtu që votun për një buxhet, i cili në bazë të raporti tët sekretiariatit thotë që është abuzim me qat buxhet çfarëdo operacioni që bëhet sepse nuk me mbërrin qëllimin për të cilin bahet, dijeni që jemi duke ndërmarr veprime korruptive”, ka thënë Krasniqi.
Pas paralajmërove të tij, ai e ka lëshuar mbledhjen e KQZ-së.
Anëtarja e KQZ-së nga komuniteti turk, Müferra Şinik, ka reaguar pas kërcënimeve të anëtarit të VV-së në KQZ, Alban Krasniqi.
Şinik ka reaguar se ka pasur preson për këtë çështje, duke marr mesazhe telefonike.
Megjithatë, ajo nuk ka përmende emra se nga kush i ka marrë këto mesazhe.
“Tash, dje, sot, telefon, mesazhe, sa herë kam pasur preson unë. Çka mundemi me votu kam votu. Tash, dy herë me marrë fjalën dhe me thanë: Myfera, Myfera”, ka thënë ajo
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, është munduar të presionin, duke thënë se anëtarët e KQZ-së e kanë punën me presion.
Më pas, anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, e ka pyetur anëtaren turke në KQZ, nëse ka pasur presion nga ai.
Ajo ka thënë se nuk ka pasur presion nga Kurteshi.
Por, kur ky i fundit e ka pyetur, nëse ka pasur presion nga kolegu i tij Alban Krasniqi, përfaqësues tutke nuk e ka mohuar.
Ajo ka thënë që të mos i kërkohet që të përmend emra.
“Ai nuk është këtu, mos me pyet për emnin të lutem”, ka thënë ajo.
Buxheti i planifikuar dhe miratuar për këto zgjedhje është në vlerën 11,493,526 Euro.
Kostoja fillestare e planifikuar dhe prezantuar në mbledhjen e KQZ-së ishte në vlerën 7,771,486 Euro.
Vlera përfundimtare e buxhetit të planifikuar përfshin edhe miratimin e amendamentit të propozuar gjatë mbledhjes që parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve, të cilët do të regjistrohen për të votuar përmes postës. Kostoja e përafërt për dërgimin e pakove me fletëvotime përmes shërbimit postar është në vlerën e 3,722,040 dhe është llogaritur për rreth 84,000 votues potencial.