“Kosova s'ka opozitë”, “Po tuten prej Kurtit”: Partitë opozitare kritikohen për mosveprim
Përshkallëzimi i situatës së sigurisë në veri ka përplasur Qeverinë e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Për këtë situatë nga kritikat nuk kanë shpëtuar as partitë opozitare. Këto të fundit po fajësohen së nuk po luajnë rolin që ju takon.
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se as opozita nuk është në krye të detyrës për të parandaluar Qeverinë në aventurat e saj në veri dhe në përplasje me ndërkombëtarët.
Ata kanë bërë me dije se deri e tani opozitën e vetme e Qeverisë Kurti janë mediat.
Sipas tyre, partitë opozitar po qëndrojnë duarkryq duke pritur se çka po ndodh.
Me këtë qasje, kanë thënë ata, opozita aktuale e të vështirë të vije në pushtet.
Politologu Avdi Smajljaj ka deklaruar për gazetën Nacionale se opozita nuk ka arritur ta imponojë qëndrimin e saj për situatën aktuale.
“Opozita ka bërë disa përpjekje për të bërë presion ndaj qeverisë për të racionalizuar qëndrimet në zhvillimet e fundit, siç është ftesa në parlament e kryeministrit për të raportuar për veriun, deklaratat e partive opozitare, etj”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se opozita ka minimizuar rolin e saj.
“Megjithatë, marr për bazë krizën e kredibilitetit me të cilën përballet opozita që nga zgjedhjet e fundit, edhe këto veprime ishin në hije të kësaj, duke e minimizuar rolin që mund të këtë opozita”, ka thënë Smajlaj.
Më i ashpër më opozitën ka qenë analisti Astrit Gashi.
Ai ka thënë se me këtë qasje, opozita aktuale kurrë nuk do të vije në pushtet.
“Nën sulm në veri nga bandat e Vuçiqit, nën sulm në krejt Kosovën nga filimenat e pushtetit dhe ministritë e qeverisë, por gazetarët dhe mediat do të mbijetojnë dhe qëndrojnë. Janë opozita e vetme ndaj të këqijave në këtë vend. Opozita politike le të rrijë duarkryq e le te pret. Kështu duke pritur, as koha e tyre s'ka me ardhë kurrë”, ka shkruar Gashi.
Në një postim tjetër, ai ka shkruar se Kosova nuk ka opozitë fare.
“Lumir Abdixhiku: Nuk dua të jem kryeministër i krizave. Ani kur ti kalojmë krizat, tani vjen ti në pushtet dhe i shijon të mirat e tij. Si zotni! Historia, ndërkohë, thotë së liderët e medhenjë kanë lindur vetëm në kriza! Kosova s'ka opozitë, pikë!”, ka shkruara Gashi,
Edhe gazetari Berat Buzhala ka kritikuar subjektet opozitare.
Ai ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja po ndihen të frikësuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Aktualisht opozita na ka braktisë. Ata janë të frikësuar dhe intimiduar nga Kurti dhe Sveçla dhe budallakite e tyne. Nuk po kanë ide, kanë ra në grackë. Kosova ka pasë kulturë të raportimit, ka pasë liri të shprehjes, që tash ky regjimi i Kurtit po don me e ngulfatë, tuj e imitu Vuciqin dhe Serbinë. Po dojnë me na frikesu, tuj e përdorë si arsyetim "gjendjen e jashtëzakonshme" që këta vetë po dojnë me e provoku”, ka shkruar Buzhala në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, liderët e PDK-së dhe LDK-së duhet të bashkëpunojnë me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Realisht Memli e Lumiri po tuten me u ngritë edhe në nivelin e votave që i kanë. Tash është momenti që tre krerët e opozitës me u bo bashkë, me e ndale këtë çmenduri. Kurti këtë dramen me serbët ka me e mbajtë deri në zgjedhjet e ardhshme arresto, liro, blloko, mbyll media, hap media, e opozita vazhdimisht ka me thane "tash nuk është momenti". Mos t'i hy ne hak Ramushit. Është i vetmi që po mundohet me reagu, është i vetmi që e ka te kalumen mjaft të pasun, sa ia mundëson me folë për luftë e për paqe”, ka shkruar ai.
Kritike edhe opozita joparlamentare
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë marrë kritika edhe nga opozita jo parlamentare.
Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, sot ka shkruar një status, në të cilin ka bërë një konstatim interesant.
Duke treguar për punimet në degën e Prishtinës, Molliqaj ka shkruar se partia që ai e udhëheq është e vetmja opozitë.
“Dega e Prishtinës gjatë organizimit të punëve në vijim. PSD, opozita e vetme!” – shkroi ai.
Kritika të ashpra për opozitën parlamentare ditë më parë ka pasur edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
Ai ka bërë me dije se puna e opozitë nuk është me tregu vetëm çka po bën Qeveria.
“Qytetarët e Kosovës gati janë duke u bërë indiferent nga sjellja e kësaj politike. Detyra e opozitës është me ngjallë me dhënë shpjegime, cili është shpjegimi i tyre? Çfarë shpjegimi kanë, përveç nuk pajtohen, dhe po na prishin marrëdhëniet me ndërkombëtarët edhe mbaroi filmi. Ti çfarë roli ki, çfarë po bën ti që mos të prishën marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Sipas tij, opozita duhet të reagojë ndaj kësaj situate.
“Kryeministri ka mendimin e vet, por me dal me thënë që ne jemi ndryshe, dhe jo me dy fjalë që po na prishin marrëdhëniet. Pasi është ndërkombëtarët po thonë se është duke u prishur procesi i Kosovës, janë duke thënë se është duke u prishur shtëpia juaj mos keni gajle ju me neve, por po prishet vendi i juaj. Shqetësimi kryesor është a po na flet apo jo ndërkombëtari, ai po thotë është duke u kall shtëpia”, ka thënë Limaj.
Deri me tani, për situatën në veri, opozita e ka thirrur dy herë kryeministrin Kurti në raportim parlamentar.

