Kosova si 'deponi' për azilantë të dështuar ose burgaxhinj
E vetmja herë kur vendet perëndimore po kujtohen për ‘investime’ në Kosovë është kur bëhet fjalë për arritjen e marrëveshjeve për rikthimin e azilantëve të refuzuar apo për transferim të burgosurish nga vende të treta, siç ka bërë Danimarka e siç po synon Belgjika. Britania e Madhe, ndërkohë, po e shqyrton mundësinë e lidhjes së një marrëveshje me Kosovën për themelimin e një ‘qendre kthimi’ për azilantët.
27 maj 2025 – Kosova është në listën e nëntë vendeve të cilat po shqyrtohen nga Mbretëria e Bashkuar si alternativë për të ngritur një qendër për azilantët.
Shtypi britanik, me mediume si ‘Forbes’
e ‘Times’, shkruan se qeveria laburiste e kryeministrit Keir Starmer po e shqyrton mundësinë e një marrëveshje për një skemë të ‘qendrave të kthimit’, në të cilat do të deportoheshin azilkërkuesit e refuzuar, përcjell Nacionale.
Një lajm si ky duket se nuk do ta zërë askënd në befasi në Britaninë e Madhe.
“Që prej ardhjes në pushtet në mes të 2024-s, qeveria e Starmerit dhe partia e tij Laburiste ka ndjekur strategji të ndryshme në përpjekje për të pakësuar migrimin e gjithëmbarshëm në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë edhe shtimin e kompetencave policore në kanalin anglez si dhe përpjekjen e përqëndruar për të dendësuar largimet”, shkruan Forbes.
Duket se kryeministri britanik, prej takimit me homologen e tij italiane Giorgia Meloni, është frymëzuar nga marrëveshja kundërthënëse e Italisë me Shqipërinë.
Në maj, Starmer e vizitoi Shqipërinë, ku e ripohoi qëllimin e tij për të bërë një skemë të ngjashme, anipse në Shqipëri kanë thënë se nuk janë duke e shqyrtuar një marrëveshje të tillë me britanikët.
“Pavarësisht përpjekjeve për të ‘sprapsur’ migrimin e parregullt në vend, Starmeri dhe partia e tij Laburiste mbetet në një pozitë të vështirë rreth kësaj çështjeje, teksa parti më thekshëm kundër imigrimit, si ‘Reform UK’, kanë bërë fitime të ndjeshme zgjedhore”, shkruan artikulli i Forbesit.
Me këtë rast, laburistët kanë bërë çmos që të rifitojnë votat e humbura te reformistët, duke përshfaqur një qasje më të ‘rreptë’ karshi migrimit.
Kësisoj, strategjia në fjalë është kritikuar sa nga organizatat joqeveritare dhe grupet e shoqërisë civile, po aq edhe nga partitë e krahut të djathtë, si reformistët e konservativët, që thonë se qeveria aktuale nuk po bën sa duhet për këtë çështje.
“Idea për ‘qendra kthimi’ nuk është assesi unike vetëm për Mbretërinë e Bashkuar. Krahas Italisë, me skemën e saj ekzistente, njihen plot shtete të tjera evropiane që po i zhbirojnë aranzhimet e tyre, ku plot ligjvënës gjermanë nga partia në pushtet CDU janë tejet të zëshëm. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka shpalosur masa për të sheshuar rrugën për skema të tilla, e po ashtu ka shpalosur masa për të hequr mbrojtjet për njerëzit që janë të urdhëruar për t’u larguar.”
Shih: Vizioni albinkurtist për investime – Kosova si qiradhënëse burgjesh
Sipas shtypit britanik, ka plot arsye pse qendrat e kthimit, si ato që po i shtyn përpara Mbretëria e Bashkuar, janë të pëlqyeshme për ligjvënësit.
Ato së pari krijojnë përshtypjen sikur politikanët po merren me këtë problem.
Së dyti, “skema të tilla flitet se kanë efekt ‘deterrence’, që do të thotë se shpresohet që përmes tyre të shkurajohen njerëzit të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, nëse ata mendojnë se do të degdisen diku tjetër.”
Në anën tjetër, kritikët e skemave të tilla thonë se ato janë sa jonjerëzore, po aq edhe jopraktike.
Ka komentatorë që argumentojnë se të pakta janë dëshmitë që skema të tilla kanë pasur efekt deterrent.
Sipas tyre, duke pasur parasysh gjendjen e ligshtë të sistemit të azilit në vend, ka shumë gjasa që të deportohen ata njerëz që përndryshe do t’iu jepej lejeqëndrimi. /Nacionale/