PE: Që Kosova të marrë statusin kandidat për BE duhet pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare
Pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së, është kërkuar në mënyrë që Komisioni Evropian të fillojë punën në dosjen e aplikacionit të Kosovës për statusin e kandidatit në BE.
Komesari për Zgjerim, Oliver Varhely, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian, e ka pranuar se për shkak të mosnjohjes nga pesë vende, ka probleme ligjore dhe kjo ndikon edhe në qasjen e institucioneve evropiane ndaj statusit tё Kosovës.
"Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe tash Presidenca suedeze është duke i shqyrtuar opsionet. Nga ana jonë ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë, e kjo është të përgatisim mendimin për status kandidati por vendimi nuk na takon neve, Komisionit por Këshillit tё BE-sё“,- është shprehur komesari Varhelyi.
Ndërsa, me sa është mësuar, presidenca suedeze ende është duke punuar nё gjetjen e formulës e cila do mundësojë dhënien e mandatit Komisionit Evropian qё tё nisё punёn nё opinion pёr gatishmёrinё e Kosovës qё tё bёhet shtet kandidat.
Sipas zyrtarëve, angazhimi mё i madh do të bёhet me shtetet mosnjohёse tё cilat kanё fuqinё qё tё bllokojnё procesin.
